AI-ja kërkon hetime për viktimat civile në konfliktin e Nagorno-Karabakut
Organizata ndërkombëtare, Amnesty International (AI) u ka bërë thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit që të nisin menjëherë hetimet për përdorim “të gabuar të armëve” në zonat me popullatë të dendur civile, gjatë luftimeve për rajonin e Nagorno-Karabakut.
Sipas kësaj organizate, sulme të tilla shkelin ligjin ndërkombëtar.
Të dyja palët e përfshira në konflikt kanë mohuar se kanë shënjestruar civilë gjatë konfliktit “pavarësisht të dhënave të pakundërshtueshme se ato kanë bërë një gjë të tillë”, duke përdorur “me qëllim municion dhe armë tjera shpërthyese me efekt të gjerë”, ka thënë organizata për të drejtat e njeriut me seli në Londër.
“Civilët janë vrarë, familjet janë ndarë dhe një mori shtëpish janë shkatërruar”, ka thënë Marie Struthers, drejtore e këtij grupi për Evropë Lindore dhe Azi Qendrore.
Sipas raportit të kësaj organizate, 146 civilë, përfshirë fëmijë dhe persona më të moshuar, kanë vdekur në konfliktin që ka marrë jetën e më shumë se 6,000 personave.
Autoritetet e Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë arritur armëpushim të ndërmjetësuar nga Moska, që ka hyrë në fuqi nga 10 nëntori i vitit të kaluar, duke u dhënë fund luftimeve më të këqija për Nagorno-Karabakun prej fillimit të viteve 1990.
Sipas marrëveshjes, Azerbajxhani ka rikthyer kontrollin e territorit që kanë zotëruar armenët nga vitet 1990, dhe rreth 2,000 paqeruajtës rusë janë angazhuar në mes të dyja palëve.
Nagorno-Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo armenët etnikë, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë, e refuzojnë udhëheqësinë e Azerbajxhanit.