AKE/ Vonohet zgjedhja e drejtorit – VLEN: S’ka mosmarrëveshje për kuadrot
AKE/ Vonohet zgjedhja e drejtorit - VLEN: S’ka mosmarrëveshje për kuadrot
Gazetare: Fatlume Dervishi
Drejtori i Agjencisë për Komunikime Elektronike nuk është zgjedhur akoma. Sipas marrëveshjes së koalicionit qeveritar, kuadri do të duhej të përzgjidhej nga VLEN, nga radhët e kandidatëve që kanë aplikuar. Në konkursin e përsëritur kanë aplikuar nëntë kandidatë, njëri prej tyre nuk i plotëson kushtet ligjore, kurse një tjetër nuk është paraqitur aspak në intervistë.
Jozyrtarisht, mediat raportojnë për mosmarrëveshje mes partnerëve të VLEN, për emrin e drejtorit të ri. Por, për Alsat, nga VLEN thonë se nuk ka mosmarrëveshje brenda koalicionit sa u takon çështjeve kadrovike. Nga atje shtojnë se sa i takon zgjedhjes së drejtorit të AKE-së, procedura shkon përmes komisionit të veçantë rregullator dhe nuk bëhet nga VLEN.
“Nuk ka mosmarrëveshje brenda koalicionit sa u takon çështjeve kadrovike. Kurse sa i takon zgjedhjes së drejtorit të AKE-së, procedura shkon përmes komisionit të veçantë rregullator dhe nuk bëhet nga VLEN”, thonë nga VLEN.
Burimet jozyrtare thonë se ndër kandidatët, më seriozi është Armend Destani, që gëzon mbështetjen e Arben Fetait. Destani është inxhinier i teknologjisë dhe ka punuar në qeveri. Por palë të ndryshme brenda VLEN-it mbështesin kandidatë të tjerë.
Kandidatët:
Armend Destani, i mbështetur nga Arben Fetai
Nusret Haliti, i mbështetur nga Mimoza Musa
Veton Gavazi, i mbështetur nga Izet Mexhiti
Sipas konkursit, kandidatët kërkohet që, përveç arsimit përkatës, të kenë të paktën 5 vjet përvojë pune në fushën e komunikimeve elektronike dhe të posedojnë të paktën një certifikatë të njohur ndërkombëtarisht për njohjen e gjuhës angleze, e cila nuk duhet të jetë më e vjetër se 5 vjet.








