Arrestimi i Grubit – Këto janë detajet
Arrestimi i Grubit - Këto janë detajet
Gazetar: Petar Çaushevski
“Ish zëvendëskryeministri Artan Grubi, aktualisht është në paraburgim në burgun e Shutkës. Grubi, i cili kishte qenë në arrati për më shumë se një vit, u paraqit në vendkalimin Bllacë këtë mëngjes, dhe u arrestua nga pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme si dhe u mbajt në paraburgim”, raporton gazetari i Alsat, Petar Çaushevski.
Në videon e postuar shihet se si pjesëtarët e policisë e prangosin ish-zëvendëskryeministrin, i veshur me xhaketë të zezë, kapelë në kokë dhe mban syze me dioptri.
Ministria e Brendshme njoftoi se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, i cili është akuzuar për përvetësim nga shërbimi dhe ndaj të cilit është lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar që nga viti 2024, u arrestua këtë mëngjes.
“Sot në orën 06:10 në vendkalimin kufitar Bllacë, në hyrje të shtetit, Artan Grubi u privua nga liria, i cili kërkohej nga një urdhër ndërkombëtar për hetim të një krimi”, tha Goce Andreevski, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme.
Në burgun e Shutkës Grubi u dërgua në orën 9:20. Dhomën e ndanë vetëm me një person. Grubi gjatë ditës u mor edhe në pyetje në Prokurori./ Alsat.mk








