Aksidenti në Llaskarcë, Prokuroria kërkon dënime më të larta

Aksidenti në Llaskarcë, Prokuroria kërkon dënime më të larta

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka paraqitur ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Penale në rastin e aksidentit të autobusit “Durmo Tours” në afërsi të fshatit Llaskarcë në shkurt të vitit 2019, ku 16 persona humbën jetën ndërsa 38 u lënduan.
Prokuroria kërkon dënime më të larta për katër të pandehurit D.B., R.M., I.Gj. dhe G.D. dhe kohëzgjatje më të gjatë të dënimeve, ndalim në ushtrimin e profesionit, veprimtarisë ose detyrës. Sipas Prokurorisë, gjykata ka vlerësuar gabimisht rrethanat lehtësuese dhe rënduese, si dhe përgjegjësinë individuale të të pandehurve për aksidentin.

“Jeta e pasagjerëve të cilët transportoheshin jo vetëm në autobusin në fjalë, por edhe në autobusë të tjerë dhe pjesëmarrës të tjerë në komunikacionin publik janë rrezikuar drejtpërdrejt nga mënyra se si të pandehurit i kryenin detyrimet e tyre ligjore”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Prokuroria rikujton se autobusi në fjalë në vazhdimësi është deklaruar teknikisht në rregull edhe pse nuk është kontrolluar fare dhe 16 ditë pas kontrollit të fundit teknik të kryer dyshohet se transportuesi “Durmo Tours” ka kryer transportin publik të udhëtarëve me atë autobus pa u regjistruar në trafik. Manipulimi me shpejtësinë e lëvizjes dhe “rregullimi” i takometrit, për të mos paguar gjoba jo vetëm në autobusin në fjalë, por edhe në autobusët e tjerë, gjithashtu është pranuar si rregull.

Aksidenti ka ndodhur kur autobusi i “Durmo Tours”, në linjën Shkup-Gostivar, me 51 pasagjerë, të gjithë nga Gostivari, doli nga autostrada Tetovë-Shkup. Gjashtë personat e dënuar për aksidentin morën gjithsej 39 vite burg. Aktakuza është ngritur në korrik të vitit 2019, por lënda ka vite që ka ngecur në procedurat formale gjyqësore./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button