Mickoski premton se do të bëjnë gjithçka si Qeveri që të ketë rritje të pagave

Mickoski premton se do të bëjnë gjithçka si Qeveri që të ketë rritje të pagave

Gazetar: Mihajlo Donev

Pagat duhet të rriten dhe duhet të kenë vlerë, ne si Qeveri do të bëjmë gjithçka që të rriten pagat, por edhe të ketë vlerë dhe të mos ketë inflacion, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me premtimin parazgjedhor të VMRO-DPMNE-së për rritjen e pagave. Lidhur me akuzat e LSDM-së se qytetarët janë mashtruar dhe se nuk do të ketë rritje, ndërsa kostoja e jetesës po rritet, Mickoski thotë se kjo është tjetër gënjeshtër e LSDM-së, duke theksuar se partia në pushtet do të punojë sipas programit parazgjedhor dhe do i përmbushë premtimet.

“Ne si qeveri do të bëjmë gjithçka për t’i rritur pagat, por edhe për të pasur vlerë që të mos ketë inflacion. Atë që do të mund të blini me rrogën tuaj këtë vit, të mund të blini më shumë vitin e ardhshëm në të njëjtin muaj, ky është qëllimi ynë. Në anën tjetër, ajo që po bën LSDM-ja është tentativë për të manipuluar dhe për të fyer qytetarin për kujtesë të shkurtër. Ne punojmë në bazë të programit tonë, hapeni programin zgjedhor dhe mund të lexoni se çfarë ka. Ne punojmë në bazë të fushatës zgjedhore sepse në bazë të asaj fushate zgjedhore kemi marrë afro 450 mijë vota nga qytetarët dhe kjo është për ne gjithçka”, tha Hristian Mickoski.

Deklarata e Mickoskit vjen pasi LSDM-ja ditëve të fundit përmes njoftimeve partiake pohoi se nuk do të ketë rritje të pagave në kohën e Mickoskit, gjegjësisht paralajmëruan se VMRO-DPMNE po përpiqet t’i mbyllë sindikatat dhe me këtë ta shuaj zërin e qytetarëve që kërkojnë rritje të rrogave duke theksuar se ribalanc i buxhetit nuk parashikon paga më të larta për punëtorët. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE në premtimin e saj parazgjedhor për ekonominë premtoi inflacion jo më të lartë se 2.5% në vit, deficit buxhetor nën tre për qind të bruto prodhimit të brendshëm, ulje të papunësisë deri në 7 për qind, hapje të 55 mijë vende të reja pune, si dhe rritje të pensioneve prej 5.000 denarësh./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button