“Aksidenti në Llaskarcë”, tre fakultete refuzojnë kryerjen e ekspertizës së posaçme

Gazetar: Igor Stefanovski

Zvarritje e re i procesit gjyqësor “Llaskarcë”. Aksidenti i tmerrshëm me autobusin e “Durmo Toursit” në shkurt të 2019-ës është larg aktgjykimit, shkruan Alsat.

Fakulteti Teknik nga Manastiri, Universiteti i Shtipit, si dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Shkup nuk mund të bëjnë super ekspertizë se si ka ndodhur aksidenti. Këto tri fakultete i kanë shkruar Gjykatës se nuk kanë numër të mjaftueshëm të ekspertëve të licencuar për ekspertizë të tillë. Disa nga ekspertët e tyre tashmë kanë marrë pjesë në një nga analizat e aksidentit të trafikut në Llaskarcë, me kërkesë të Prokurorisë ose mbrojtjes.

Ekspertizën e posaçme e kërkoi Gjykata Penale, për shkak të ekspertizave kontradiktore të paraqitur nga prokuroria dhe mbrojtja, dhe është vendimtare të sillet aktgjykim. Gjykata tashmë i është drejtuar një institucioni tjetër.

“Rasti tashmë është dërguar në Byronë e Mjekësisë Ligjore, e cila ka mundësi të formojë një ekip ekspertësh të licencuar dhe ta përgatisë super ekspertizën”, njoftojnë nga Gjykata Themelore Penale Shkup.

Po kalojnë gati tre vjet nga aksidenti i autobusit dhe gjykimi është ende në vazhdim e sipër. Gjykata Penale thotë se para pandemisë gjykimi zhvillohej me ritëm të përcaktuar, por më pas për shkak të planit të ri të punës, Gjykata i dha përparësi çështjeve të paraburgimit. Në paraburgim ka qenë edhe rasti Llaskarca, por pas heqjes së masës së paraburgimit të dyshuarve nga Apeli, kjo lëndë është hequr nga lista prioritare. Seancat për rastin e Llaskarcës ndërkohë janë shtyrë disa herë për shkak të izolimit dhe sëmundjes së trupit gjykues, të pandehurve dhe avokatëve.

“Gjatë këtij viti rasti është zhvilluar sipas intensitetit të planifikuar, me të cilin janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët e propozuar dhe pranuar, të lënduarit dhe ekspertët. Ka mbetur vetëm që të kryhet super ekspertiza, e cila do të mbyllë procedurën e provave dhe çështja do të kalojë në fazën e fjalëve përmbyllëse dhe aktgjykimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatë Themelore Penale Shkup.

Gjykimi i radhës për aksidentin në Llaskarcë është caktuar më 25 janar. Deri atëherë do të duhet të dihet nëse Byroja e Ekspertizës Gjyqësore do të pranojë të kryejë super ekspertizë dhe për sa kohë do të mund ta dorëzojë atë në Gjykatë. Më 13 shkurt 2019, në autostradën Shkup – Tetovë, afër fshatit Llaskarcë, autobusi i “Durmo Toursit” u aksidentua. 16 pasagjerë humbën jetën ndërsa 38 u lënduan. Të akuzuar janë gjashtë persona, përfshirë pronarin e Durmo Toursit dhe shoferin e autobusit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button