Aksidentohet autobusi nga Kosova, 10 të vdekur dhe mbi 40 të plagosur

Dhjetë persona humbën jetën, më shumë se 40 u lënduan, nga të cilët 15 rëndë në aksidentin tragjik, që ndodhi afër Sllavonski Brodit në Kroaci. Ndër të lënduarit rëndë është edhe një vajzë. Autobusi me targa të Kosovës, që udhëtonte nga Frankfurti për në Prishtinë, doli nga autostrada dhe u rrokullis. Sipas shefit të policisë së trafikut në Sllavonski Brod, aksidenti ka ndodhur rreth orës 6:20 të mëngjesit të sotëm.

 “Ky aksident, siç mund ta shihni, është me të vërtetë i rëndë. Unë mendoj se është një nga aksidentet më të këqija, që kam parë ndonjëherë”- tha Franjo Galiq – Shefi i Policisë Rrugore – Slavonski Brod .

Ministri kroat i Shëndetësisë Villi Berosh tha se në autobus kishte 67 pasagjerë dhe dy shoferë. 42 persona u shtruan në spitalin e Slavonski Brodit, dhe dy në Nova Gradishka.

 “Gjithashtu kemi 15 të plagosur rëndë. Tre janë në operacion. Është e mundur që edhe dikush tjetër prej tyre të diagnostikohet me dëmtime të rënda trupore. Gjithçka është e mundur. Doja të përmendja se në aksident ishin të përfshirë 15 të mitur, nga të cilat një vajzë e lënduar rëndë. “- Villi Berosh – Ministër i Shëndetësisë i Kroacisë.

Shefi i mbrojtjes civile të Kroacisë, Damir Trud, deklaroi se në mesin e dhjetë viktimave është edhe njëri nga shoferët i cili në atë moment nuk ka vozitur autobusin. Prokuroria e Sllavnski Brodit ka kryer hetimet në vendin e ngjarjes. Është konstatuar se autobusi është i kompanisë Deva Turs nga Kosova. Shoferi i cili në momentin e aksidentit ka drejtuar autobusin, është arrestuar dhe ndaj tij do të ngritët padi adekuate. Ai në polici ka pranuar se gjatë vozitjes ka dremitur.

“Është arrestuar me dyshimet se ka kryer vepër penale kundër sigurisë në qarkullim me pasoja të rënda”

-A janë të vërteta zërat se ai ka pranuar se ka dremitur gjatë vozitjes?

“Sipas informatave që i kam nga vendngjarja, pohimet e tij janë të tilla, por megjithatë hetimet vazhdojnë”- pohoi Sllavko Pranjiq, zëvendës prokuror shtetëror i komunës.

Jozyrtarisht, ai drejtimin e autobusit e ka marrë në vendkalimin Bregana- Slloveni- Kroaci, ndërsa nga Frankfurti deri aty ka vozitur kolegu i tij i cili humbi jetën.

Alsat

 

LEXO EDHE:

Back to top button