Aksidentohet në Austri autobusi nga Kosova, raportohet për 20 të lënduar

Aksidentohet në Austri autobusi nga Kosova, raportohet për 20 të lënduar

Një autobus me targa të Kosovës është aksidentuar në një autostradë pranë Eugendorfit në Austri, raporton agjencia APA. Raportohet se afër 20 persona janë lënduar.

Sipas informacioneve fillestare, 20 persona raportohet se janë lënduar. Kryqi i Kuq dhe ekipet e zjarrfikësve dolën në vendin e ngjarjes menjëherë pas aksidentit.

“Aktualisht kemi informacione për tre të plagosur rëndë dhe 16 të plagosur lehtë”, tha për APA, zëdhënësja e Kryqit të Kuq, Roberta Thanner.

“Deri më tani nuk kemi raportime për viktima”, shtoi ajo.

Aksidenti ndodhi rreth orës 03:00 në një autostradë nga Salzburgu në drejtim të Vjenës. Autobusi me rreth 25 pasagjerë, me gjasë është përplasur në mbrojtësen prej betoni të autostradës, por shkaqet e aksidentit ende janë të paqarta, tha zëdhënësi i policisë, Hans Wolfgruber.

“Në autobus gjendeshin rreth 25 persona”, tha komandanti i policisë rajonale, Herman Gerstgraser. Sipas tij, tre persona janë plagosur më rëndë dhe 16 të tjerë më lehtë. Të gjithë të lënduarit janë dërguar në spitalin shtetëror në Salzburg.

Wolfgruber tha se autobusi po udhëtonte nga Kosova për në Habnover.

“Këta janë turistë që padyshim vijnë nga Kosova”, tha ai.

Pas aksidentit, autoritetet thanë se në vendin e ngjarjes kanë arritur vullnetarë, pjesëtarë të Kryqit të Kuq dhe të ndihmës së parë.

Vendi ku ka ndodhur aksidenti është mbyllur për trafik dhe autobusi gjendet ende në vendin e ngjarjes.

LEXO EDHE:

Back to top button