Aksion antidrogë, arrestohet i afërmi i zv/ministrit Nazim Bushi

Policia ka arrestuar tre persona, një shtetas nga Maqedonia e Veriut, një nga Shqipëria dhe një tjetër nga Kosova. Të gjithë dyshohen për veprën tregti ilegale më lëndë narkotike. I arrestuari nga Maqedonia e Veriut është një 22 vjeçar nga Shkupi me inicialet T.S, për të cilin burime të Alsat brenda policisë tregojnë se bëhet fjalë për familjarin e zëvendësministrit të Brendshëm, Nazim Bushi dhe njëkohësisht vëllain e sigurimit tij personal me inicialet S.S. Të pyetur nëse informacionet janë të sakta, cilat janë hapat e ndërmarrë nga policia dhe përgjegjësia e mundshme morale dhe penale e njeriut të dytë të policisë, nga MPB deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Në kumtesën e policisë, për të dyshuarin T.S shkruhet se si fillim i është shmangur policisë por është kapur në flagrancë.

 

Për shkak të dyshimeve të bazuara se në një shtëpi në fshatin Vërboec të Krushevës gjendet një sasi më e madhe e lëndës narkotike marijuhanë, që është marrë nga magazinat e një subjekti të autorizuar për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore, është kryer bastisje në këtë shtëpi ku edhe janë gjetur 6 thasë në të cilat janë mbajtur 60 kg marijuhanë- deklaroi Suzana Pranjiç, MPB.

Ndaj personave të dyshuar është ngritur kallëzim penal, ndërsa Prokuroria Publike i ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditorë. Aksioni policorë është duke vazhduar akoma në magazinat e subjektit të autorizuar për transport të kanabisit me qëllime mjekësore.

LEXO EDHE:

Back to top button