Aksion i policisë, kapen 200 kilogramë marijuhanë

Adrian Kerimi

Policia zbulon një transport ndërkombëtar të drogës. Sasia prej 200 kilogramëve marijuhanë me vlerë prej 600 mijë euro, sipas policisë, ka ardhur nga Kosova dhe si destinacion kishte tregun vendor. Forcat policore kanë arrestuar 6 shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

“Janë gjetur valixhe udhëtimi në të cilat ka pasur 55 paketime të marijuhanës. Gjatë kontrollit të një veture tjetër e drejtuar nga shtetasi B.R 30 vjeç nga Shkupi, janë gjetur thasë të zinj me gjithsej 116 paketime marijuhane”, tha Suzana Pranjiq Talevska, Zëdhënëse e MPB-së.

Gjatë zgjerimit të kontrollit policia ka ndaluar edhe dy vetura tjera me të cilën kanë udhëtuar anëtarët e grupit kriminal. Në njërën prej tyre ishte një shtetas kosovar i cili bashkë me shtetasit e Maqedonisë së Veriut ishin angazhuar për të siguruar trasenë nga ku ka qenë e planifikuar të transportohet droga. Me urdhër të gjykatësit është kryer bastisje në shtëpinë e shtetasit B.R ku janë gjetur edhe 29 paketime me marijuhanë, maska, peshore digjitale dhe 11 plumba. Gjatë bastisjes në shtëpinë e shtetasit E.A është gjetur pistoletë sinjalizues, armë zjarri me municion dhe një veturë e sjellë nga Kosova pa dokumentacion përkatës. Policia i ka dorëzuar organit të akuzës kallëzime penale ndaj të dyshuarve për veprat penale “përpunim i lëndëve narkotike” dhe “përpunim, tregti dhe armëmbajtje pa leje”. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button