Aktakuzat kanë tronditur skenën politike në Kosovë, Hashim Thaçi jep dorëheqje nga posti i presidentit

Hashim Thaçi është dorëhequr nga posti i presidentit të Kosovës, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij të ngritur nga Gjykata Speciale. Ai tha se para trupit gjykues nuk do të dalë si president i Kosovës, ndërsa ka shtuar se është i bindur në pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe se nga Haga do të kthehet faqebardhë. Popullit të Kosovës i bëri thirrje për maturi, ndërsa nga aktorët politik kërkoi pjekur për të mos e çuar vendin në një krizë të re.

- Advertisment -

Nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë Presidenti i Kosovës. Prandaj për të mbrojtur integritetin e Presidencës, integritetin e shtetit dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës dhe duke respektuar partneritetin me Bashkësinë Ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Kosovës – deklaroi Hashim Thaçi, President i Kosovës.

Aktakuza është konfirmuar edhe ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, i cili njoftoi se deri në përfundimin e procesit të gjykimit, tërhiqet nga të gjitha angazhimet politike dhe shtetërore.

Jam pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjes për në Hagë me përfaqësues të tribunalit, ku formalisht do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes. Kjo gjë do të kërkojë angazhimin dhe përqendrimin tim të plotë, dhe prandaj kam vendosur që të tërhiqem nga të gjitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces – u shpreh Kadri Veseli, Kryetar i PDK-së.

Pas ngritjes së aktakuzës, policët e Eulexit dje bastisën shtëpinë e Jakup Krasniqit të cilin edhe e arrestuan. Aktakuzë është ngritur edhe ndaj shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ish gjeneralit të UÇK-së, Rexhep Selimi. Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 24 qershor ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button