“Aktualizimi i Procesit të Berlinit, lajm i shkëlqyer”, Pendarovski: Të zbatohen marrëveshjet rajonale

“Aktualizimi i Procesit të Berlinit, lajm i shkëlqyer”, Pendarovski: Të zbatohen marrëveshjet rajonale

Gazetare: Fatlume Dervishi

Riaktualizimi i Procesit të Berlinit, për Presidentin Stevo Pendarovski, është një lajm i shkëlqyer. Ai theksoi se marrëveshjet e firmosura mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, njohja e diplomave dhe të kualifikimeve të mjekësisë, stomatologjisë si dhe të arkitekturës është një hap i madh drejt krijimit të një tregu të përbashkët rajonal.

“Nuk shoh asnjë arsye që këto marrëveshje të mos ratifikohen shpejt edhe në parlamentet kombëtare që të mund të hynë në fuqi dhe më pas edhe të zbatohen ashtu si janë menduar, në interes të qytetarëve nga gjithë rajoni. Mbështetja e paralajmëruar për menaxhimin e krizës energjetike për shtetet tona nga kryetarja e Komisionit Evropian në vlerë prej 1 miliardë euro është po ashtu shprehje e solidaritetit evropian dhe një hap drejt kthimit të besimit tek një pjesë e madhe e qytetarëve për vlerat e integrimit në BE”, tha Stevo Pendarovski, President.

Drejtori i fondacionit gjerman Friedrich Ebert në Shkup tha se vendet e rajonit duhet të gjejnë mënyra se sit ë ndërtojnë aleanca të reja dhe të intensifikojnë bashkëpunimin për të ecur përpara drejt BE-së.
“Akoma edhe sot, dhe kjo është edhe arsyeja që unë mendoj se jemi pak a shumë në autopilot, ka shumë vende anëtare që janë skeptike për zgjerimin dhe, për të qenë të sinqertë, ndoshta nuk i kuptojnë plotësisht implikimet, përfshirë edhe implikimet e sigurisë që zvarritja e agjendës së zgjerimit dhe shkelja e premtimit të Samitit të Selanikut ka për rajonin”, u shpreh René Schlee, drejtor i Friedrich Ebert Stiftung, Shkup.

Debati rreth procesit të Berlinit u organizua nga Fondacionit Friedrich Ebert. Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel. Ndër qëllimet kryesore të këtij procesi janë: përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor. Procesi fokusohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit. Takimi i fundit u mbajt në fillim të muajit nëntor të këtij viti. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button