Gazetare Linda Ebibi Ademi
Shumë premtime për Akueduktin, por gjendja në teren paraqitet shqetësuese. Edhpse parashihej që të ishte pikë që do të tërhiqte shumë turistë, sot ky monument më shumë ngjanë në një deponi. Autoritetet nuk tregojnë se kur do të merren me këtë monument historik.
“Akuedukti i Shkupit, një nga monumentet më të vjetra historike, sot më shumë ngjan me një deponi mbeturinash sesa me një trashëgimi kulturore. Kjo që shihni është akuedukti i Shkupit, i mbytur në mbeturina dhe harresë institucionale”, raporton Linda Ebibi Ademi.
Edhe pse në disa raste janë dhënë premtime publike për pastrimin, rregullimin dhe mirëmbajtjen e këtij lokaliteti me vlerë të rëndësishme kulturore, në terren situata mbetet e njëjtë, në mos më e rënduar. Në vend që të shndërrohet në një atraksion turistik dhe hapësirë të denjë për qytetarët, zona përreth Akueduktit po përdoret si deponi ilegale e mbeturinave dhe lihet vazhdimisht në neglizhencë.
Pamjet flasin për mungesën e kontrollit dhe për dështimin autoriteteve.
Pyetëm në Higjienën Komunale por nuk morëm përgjigje të qartë se kur dhe si do të zgjidhet ky problem që po dëmton jo vetëm mjedisin, por edhe trashëgimin kulturore të Shkupit.
Kujtojmë se me rastin e Ditës së Evropës shumë ambasadorë dhe kryetarë komunash morën pjesë në aksionin për pastrimin e akueduktit me qëllim që ky lokalitet të shndërrohet në një atraksion turistik. Mes tyre ishte edhe kryetari aktual i Qytetit të Shkupit, i cili e kishte parë nga afër situatën me mbeturina, dhe shpresonte se vitin e ardhshëm të ndryshojë situata e cila është jo e mirë për tu parë.
“Sinqerisht më vjen keq që një nga lokacionet më të rëndësishme në Shkup është në këtë gjendje. Shpresoj që vitin tjetër do ta vizitojmë me një pamje të re, ashti siç i ka hije dhe siç tha presidentja një park i ri”, deklaroi Orce Gjorgjievski, ish kryetar i BNJVL-së, kryetar aktual i Qytetit të Shkupit.
Ndryshe, edhe pse është i shpallur trashëgimi kulturore, restaurimi i plot i tij është premtuar disa herë, por nuk është realizuar në praktikë. /Alsat.mk








