Gazetar: Bashkim Sulejmani
Abdylaziz Islami, Murat Isaku, Arben Xhaferi e Nexhat Pustina. Këto janë emrat që banorët e Tetovës, do kishin dashur t’i mbajnë rrugët ku ata jetojnë, për dallim prej një numri të madh të emrave që aktualisht janë, e që kanë të bëjnë me Rusinë, Jugosllavinë e Slloveninë.
“Kjo punë është dashur të kryhet shumë më herët, por tridhjetë vite nga pluralizmi e këndej nuk është bë asgjë me ndërrimin e emrave të rrugëve. Ka shumë personalitete që mund t’i kemi në emrat e rrugëve në Tetovë, ka shkrimtarë eminent me reputacion evropian e Ballkanik, siç janë, Murat Iskau, Abdylaziz Islami, Nexhat Pustina, Daut Gura etj. Kemi artist Selim Ramadanin aktori i parë i diplomuar në arte, kemi Memet Gegën Rafi Alilin etj. dhe kështu do korrigjohej edhe një padrejtësi e madhe historike që i është bë Tetovës”, tha një banor i Tetovës.
“Emrat duhet të përshtaten sipas kohës pra me emra të shqiptarëve të historisë së përparme, siç janë Mehmet Pashë Deralla, pra duhet të kenë emra të rinj e jo komunistë. Nuk duhet të ekzistojnë më emra të komunistëve shkurt t’i themi. Ka kaluar ajo kohë, tash duhen emra të rinj të përshtatshëm për vendin dhe kohën. Komuna duhet ta bëj më këtë ndryshim”, u shpreh një tjetër banor i Tetovës.
“Ne duhet parë cili është varianti më i mirë jemi shumicë këtu dhe duhet të reflektohet ky realitet. Ka shumë emra nga lëmi të ndryshme që mund të përdoren, Murat Isaku, Arbër Xhaferi, Abdylaziz Islami etj. që të reflektojnë me popullatën. Komuna është e vonuar bile në këtë gjë, duhej ta kryente shumë më herrët por politika e bën të vete”, deklaroi një banor i Tetovës.
Por megjithatë kjo edhe më tej mbetet vetëm dëshirë e banorëve, ndërsa realiteti është shumë larg. Tentimi i një viti më parë për ndërrimin e këtyre emrave nga komuna e Tetovës dështoi, edhe pse pati shumë propozime e filtrime. Tani komuna do që këtë nismë ta riaktivizoj sërish, por përkrahje ka vetëm nga këshilltarët e AKI.
“Këshilltarët e AKI-së do të përkrahin ndryshimin dhe emërtimin e rrugëve në Tetovë për arsyen e vetëm që qytetarët të kenë adresën e tyre dhe në bazë të informacioneve që kemi shumë procese gjyqësore janë humbur për arsye të mungesës së emrit të rrugës”, deklaroi Berat Murati shef i grupit të këshilltarëve të AKI.
Këshilltarët maqedonas nga radhët e VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së janë shprehur kundër nismës për ndërrimin e emrave të rrugëve. Përkundër kundërshtimit të VMRO-së dhe LSDM-së, këshilltari nga radhët e shumicës Albi Qamili thotë se nisma do të vazhdojë aty ku ka ngelur.
“Pas zgjedhjeve lokale do formohet komision i ri në këshillin komunal; dhe Tetova do të ketë emra të ri të rrugëve dhe do ketë numra për çdo banesë shtëpi lagje e fshat të komunës së Tetovës”, u shpreh Albi Qamili. Zëqvendës kryetar I komunës së Tetovës.
Për këtë nismë deri tani janë realizuar dy debate publike ku qytetarët kishin mundësi të propozonin emra të rrugëve shesheve e urave, dhe më se 1200 propozime, pas filtrimit, mbetën edhe rreth 600 emra, të cilët ishin të pranueshëm për tu përdorur. Në Tetovë janë të regjistruara gjithsej 297 rrugë, nga të cilat 216 janë pa numër ose emër, ndërsa 80 të tjera kanë nevojë për ndërrim të emrit. /Alsat.mk








