Akuzë ndaj 39 vjeçarit nga Shkupi për vrasjen e kryer në gusht të këtij viti në afërsi të Qendrës Tregtare “Mavrovasja”

Akuzë ndaj 39 vjeçarit nga Shkupi për vrasjen e kryer në gusht të këtij viti në afërsi të Qendrës Tregtare “Mavrovasja”

Gazetar: Suad Bajrami

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka ngritur akuzë ndaj 39-vjeçarit E.K. nga Shkupi, i cili ngarkohet se ka kryer vrasjen e 59-vjeçarit Vasil Eftimov më 20 gusht, në afërsi të Qendrës Tregtare Mavrovasja në Shkup, për qëllim të përfitimit. I akuzuari, gjithashtu ngarkohet edhe për tentim vrasje të gruas së Eftimovit dhe për armëmbajtje pa leje dhe materie shpërthyese.

I akuzuari fillimisht e ka vrarë Eftimovin, ndërkaq më pas e ka kërcënuar me armë bashkëshorten e të ndjerit dhe ia ka marrë një torbë që e ka mbajtur me vete dhe një arkë nga vetura, në të cilën ka pasur vegla pune.

“Pastaj në automjet me targa të Belgjikës është arratisur drejt Gazi Babës. Më vonë gjatë ditës së njëjtë, kur zyrtarët policorë e kanë hetuar i akuzuari bashkë me një person në automjet në rrugën “Stojna Stefkova” në Shkup, ka dalë nga dera e bashkëudhëtarit dhe drejtë 4 policëve ka shkrepur katër plumba në tentim t’i privojë nga jeta”, njoftojnë nga Prokuroria.

Policët, siç thonë nga Prokuroria, në këtë rast kanë reaguar duke shkrepur disa plumba paralajmërues në ajër me armë zyrtare.

“Kanë arritur ta zotërojnë, pas çka e ka hedhur pistoletën dhe është arrestuar. I akuzuari do të përgjigjet edhe për armëmbajtje pa leje me të cilën e ka kryer veprën- pistoletë gjysmë-automatike “Gllok 17”, pa numër prodhimi, me kalibër 9 milimetra”.

Për të akuzuarin është shqiptuar masa e vazhdimit të paraburgimit.

Për vrasjen e Eftimovit, menaxher i firmës Mitel Mont, për shitje me shumicë të materialeve për ujësjellës e kanalizime, paraprakisht u arrestua edhe një person, por që më pas u lirua në mungesë të provave. Kapja e të dyshuarit për vrasje u bë pas një aksioni të policisë së SPB Shkup, forcave speciale, duke përdorur helikopter dhe dronë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button