Akuzë ndaj 8 personave fizikë dhe një personi juridik për keqpërdorime me prokurime publike në TEC Manastir

Akuzë ndaj 8 personave fizikë dhe një personi juridik për keqpërdorime me prokurime publike në TEC Manastir

Gazetar: Mihajllo Donev

Prokuroria e Manastirit ka ngritur aktakuzë ndaj 8 personave fizikë dhe një personi juridik për keqpërdorime me prokurime publike në TEC Manastir. Të akuzuarit kanë shpallur dhe kanë realizuar procedurë për prokurim publik për dislokimin e stacioneve shtytëse nga miniera Osllomej në minierat e TEC Manastirit, me qëllim që të vendosej një sistem i ri transporti për xehet, megjithëse e kanë ditur se kjo është në kundërshtim me projektin bazë. Vlera e tenderit ka qenë rreth 1,7 milionë euro.

“Të akuzuarit e kanë nxitur Bordin Drejtues që ta ndryshojë Planin Vjetor dhe të mundësojë realizimin e prokurimit publik, ndërsa kushtet minimale për pjesëmarrje në tender i kanë ridimensionuar, duke favorizuar vetëm një person juridik. Me këtë i kanë mundësuar kompanisë së akuzuar të paraqitet si ofertues i vetëm dhe ta fitojë tenderin me vlerë prej 90 milionë denarë pa TVSH”, njoftojnë nga Prokuroria e Manastirit.

I akuzuari i parë është pronar i kompanisë që e ka fituar tenderin, e cila ka arkëtuar para nga TEC Manastiri për shërbime që kanë mbetur të papërfunduara. I akuzuari i parë i ka transferuar paratë në Serbi, ku ka pasur dy kompani, ndërsa organet hetimore, përveç se kanë marrë një shumë të madhe parash, kanë konfiskuar edhe një pllakë ari nga një kasafortë në Beograd.

“Është propozuar që të konfiskohet shuma prej rreth 1,7 milionë eurosh me TVSH, të cilat i janë paguar kompanisë. Me ndihmë ndërkombëtare janë siguruar 1,2 milionë euro, 1.000 franga zvicerane, 3 monedha ari dhe 1 pllakë ari nga një kasafortë në Beograd, në pronësi të të akuzuarit të parë, si dhe mbi 500.000 euro në llogari në banka vendore. Janë ngrirë 10 automjete të reja transporti dhe rimorkio, të blera vitin e kaluar nga një kompani në Serbi në pronësi të të akuzuarit të parë”, thonë nga Prokuroria Manastirit.

Sipas Prokurorisë, dy kompanitë në Serbi në pronësi të të akuzuarit të parë, prej të cilave njëra është regjistruar në vitin 2024, janë themeluar me qëllim që paratë me të cilat ai dispononte t’i transferonte drejt këtyre personave juridikë. Nga prokuroria është kërkuar në gjykatë vazhdimi i masës së paraburgimit për këtë të akuzuar, për shkak të rrezikut të mundshëm të arratisjes, ndërsa nuk ka informacione nëse është kërkuar paraburgim edhe për të dyshuarit e tjerë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button