Pas tragjedisë në Krans Montana të Zvicrës ka nisur identifikimi i viktimave

Pas tragjedisë në Krans Montana të Zvicrës ka nisur identifikimi i viktimave

Hetuesit në Zvicër nisën identifikimin e trupave të djegur në zjarrin që përfshiu një bar të mbushur me njerëz që la të vdekur mbi 40 persona në natën e ndërrimit të viteve në resortin e skijimit në Krans-Montana. Ndërkohë klubi italian i Golfit ka bërë të ditur identitetin e viktimës së parë. Bëhet fjalë për 17 vjeçarin Emanuele Galepini me prejardhje nga Xhenova e Italisë. Nga ana tjetër sipas zyrtarëve zviceranë, për shkak të djegies së rëndë që kanë pësuar, mund të duhen disa ditë që të identifikohen të gjithë viktimat e zjarrit.

“Prioritet është identifikimi i të gjitha viktimave në mënyrë që trupat e tyre të mund t’u kthehen shpejt familjeve të tyre. Ky proces mund të marrë disa ditë”, deklaroi Frederik Gisler, Shef i Policisë.

Ndërkohë shumë nga mbi 100 të lënduarit janë në gjendje tejet të rëndë. Ende mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin. Autoritetet thanë se duket se ngjarja ishte një aksident, e jo një sulm. Rrëfimet e disa të mbijetuarve kanë sugjeruar se tavani i bodrumit të lokalit mund të ketë marrë flakë kur qirinjtë me shkëndija iu afruan afër.

“Jam ende në shok. Nuk mund ta kuptoj çfarë ndodhi. Pashë njerëz që shtynin njëri-tjetrin, duke rënë nga shkallët në një tentim për të shpëtuar. Disa po shtypeshin, disa nuk mundën të dilnin dhe për fat të keq vdiqën brenda”, deklaroi Nathan Huguenin, dëshmitar.

“Kishte shumë njerëz në hyrje që përpiqeshin të shpëtonin. Pashë shumë njerëz në dysheme dhe mendoj se këta njerëz ishin të vdekur”, u shpreh Samuel Rap, dëshmitar.
Për shkak të tragjedisë, autoritetet në Zvicër kanë shpallur pesë ditë zie. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button