Lamine Jamal, talenti i jashtëzakonshëm i Barcelonës, është në qendër të një stuhie mediatike pas një oferte historike prej 400 milionë eurosh nga klubi saudit “Al-Hilal”. Ky transferim mund të shënojë shifrën më të lartë në historinë e futbollit botëror.
Në vetëm 18 vjeç, Jamal ka lënë gjurmë të pashlyeshme te Barcelona. Performanca e tij mbresëlënëse në “Euro 2024”, ku Spanja fitoi titullin, e ka konsoliduar si një nga talentet më premtuese në futbollin botëror. Zgjatja e kontratës së tij me Barcelonën deri në vitin 2031, me një pagë vjetore afërsisht 21 milionë euro, tregon besimin e klubit te potenciali i tij. Megjithatë, oferta e “Al-Hilallit” ka hedhur hije mbi të ardhmen e tij në “Kamp Nou”.
Klubi saudit ka ofruar 400 milionë euro për Jamalin, një shumë që tejkalon ndjeshëm vlerën e tij aktuale në treg, dhe gjithashtu përfshin një kontratë prej shtatë sezonesh për talentin e ri spanjoll, raporton “Fichajes”.
Burime pranë dhomës së zhveshjes sugjerojnë se Lamine Jamal ndihet i frustruar nga kritikat publike të trajnerit Hansi Flik, i cili ka theksuar nevojën për më shumë intensitet dhe përqendrim nga ekipi. Kjo ka krijuar tensione të brendshme, dhe disa lojtarë, përfshirë Jamal, kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e mbështetjes dhe kuptimit.
E ardhmja e Lamine Jamal mbetet e pasigurt. Ndërsa Barcelona shpreh dëshirën për ta mbajtur, madhësia e ofertës saudite dhe tensionet e mundshme të brendshme mund të ndikojnë në vendimin e lojtarit. Dritarja e ardhshme e transferimeve pritet të jetë vendimtare për të përcaktuar nëse talenti i ri do të vazhdojë karrierën te “Kamp Nou” apo do të nisë një aventurë të re në Arabinë Saudite.








