Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla dështojnë t’i marrin votat për kryeparlamentare, Dehari e ndërpret seancën për sot
Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla dështojnë t’i marrin votat për kryeparlamentare, Dehari e ndërpret seancën për sot
Gazetare: Fatlume Dervishi
Për herë të parë që nga 15 prilli i këtij viti, Vetëvendosja në Kosovë propozoi një kandidat tjetër për kryetar, në përpjekjet për konstituimin e Kuvendit. Deputetët, pas tre javësh pushim, u mblodhën në institucionin ligjvënës dhe pasi u vendos përsëri në rend dite dhe nuk arriti të miratohet Albulena Haxhiu, u propozua edhe Donika Gërvalla. Numri i votave ishte i njëjtë, 57 për, dhe as Gërvalla nuk kaloi.
“Është situatë identike, pavarësisht kandidatit, asnjë votë nuk ndryshoi. E kjo është dëshmia më e mirë që kemi të bëjmë me taktika bllokuese ndaj institucionit të Kuvendit, jo pse është Kuvendi por se qëllimi i tyre është ta kthejnë një qeverisje të vitit 2019 kur ka qenë edhe lista serbe në qeveri” , theksoi Hekuran Murati, Vetëvendosje.
Për opozitën, thelbi i problemit është që qeveria në detyrë nuk i ka numrat.
“Nuk ka nevojë për asnjëfarë takimi. Gjithë çka duhet është me sjellë një kandidat ose kandidate që e merr numrin e mjaftueshëm që është së paku 61. Unë besoj që kandidat të tillë ka e mbetet në vullnetin e Lëvizjes Vetëvendosje meqenëse atyre u takon ky veprim”, tha Memli Krasniqi, Kryetar i PDK-së .
“Për fat të keq unë besoj që qëllimi i tij nuk ka ndryshuar, është të vazhdojë me mbajt peng Kosovën, me udhëheq me Kosovën pra në mënyrë jo të ligjshme. Me mbajt peng Kosovën”, u shpreh Haradinaj”, u shpreh Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së.
Vazhdimi i seancës konstituive u mbajt pasi Gjykata Kushtetuese urdhëroi deputetët që brenda 30-ditësh, duke nisur nga 18 gushti, të themelojnë organin ligjvënës. Votimi për kryeparlamentarin u bë në mënyrë të hapur dhe, sipas vendimit, një kandidat mund të hidhet në votim vetëm deri tri herë./ Alsat.mk








