E rëndë në Malishevë: Gruaja shtatzënë humb jetën nga të shtënat, bashkëshorti plagoset rëndë
Një grua shtatzënë është vrarë me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës, ndërsa bashkëshorti i saj, i dyshuar për vrasjen, është në gjendje kritike, pasi edhe ai ka pësuar plagë nga arma e zjarrit. Prokuroria Themelore në Gjakovë njoftoi se gruaja ka pësuar plagë nga arma e zjarrit dhe së është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, ku më pas ka vdekur. Bashkëshorti i saj është dërguar, po ashtu, për trajtim në QKUK dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se në çfarë rrethanash janë plagosur gruaja dhe bashkëshorti i saj, apo se kush ka shtënë me armë. Nga Prokurori i Shtetit rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, bëri të ditur Prokuroria në Gjakovë. Rrjeti i Grave të Kosovës reagoi në lidhje me ngjarjen, duke vlerësuar se çdo humbje e jetës së një gruaje në rrethana të dhunshme është alarm serioz për institucionet dhe shoqërinë. Sipas të dhënave, nga viti 2010 e deri më tani, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra. / Alsat.mk








