Gjykata rrëzon vendimin e SHBA-së për pezullimin e vizave të migrimit nga 75 vende, përfshirë nga Kosova
Një gjykatëse federale ka rrëzuar pezullimin e vendosur nga administrata amerikane për shqyrtimin e vizave për migrantë nga 75 vende, përfshirë nga Kosova.
Sipas Gjykatës së Qarkut Jugor të Nju Jorkut, vendimi i administratës amerikane vlerësohet i “kundërligjshëm” dhe gjykatësja Jeannette Vargas tha se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka “tejkaluar autoritetin e tij” kur e mori vendimin.
Vendimi, që hyri në fuqi në janar të këtij viti, pezullonte shqyrtimin e aplikimeve të vizave për migrantë nga shtetasit e 75 vendeve, përfshirë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.
Po ashtu, në këtë ndalesë u përfshin edhe shtetet sikurse Afganistani, Egjipti, Brazili, Iraku, Nigeria, Somalia, Tajlanda dhe Jemeni.
“Departamenti i Shtetit do të pauzojë shqyrtimin e vizave për emigrantë nga 75 shtete, migrantët nga të cilët marrin ndihma sociale nga populli amerikan në nivele të papranueshme. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri kur SHBA-ja të sigurohet që migrantët e rinj nuk do të përfitojnë nga populli amerikan”, shkroi Departamenti amerikan i Shtetit në X në janar kur njoftoi për vendimin.
Por, Vargas vendosi se zyrtarët konsullorë u udhëzuan gabim për të refuzuar vizat e migrimit duke u bazuar vetëm në vendin e origjinës së aplikuesit.
Administrata amerikane mund ta apelojë vendimin e gjykatës federale.
Para se të publikohej vendimi, më 4 janar, presidenti amerikan, Donald Trump, e publikoi në Truth Social një listë të vendeve migrantët e të cilave marrin ndihmë sociale nga Qeveria amerikane.
Kosova ishte në mesin e tyre, pasi 46 për qind e emigrantëve kosovarë që jetojnë në SHBA marrin ndihmë sociale nga Qeveria atje, sipas listës së publikuar nga presidenti amerikan.
Trump gjatë fushatës presidenciale për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë premtoi se do të dëbonte miliona migrantë pa dokumente dhe administrata e tij ka ndërmarrë një sërë veprimesh që kur ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë, masa që synojnë përshpejtimin e dëbimeve dhe uljen e numrit të kalimeve të paligjshme kufitare./REL.








