Alsat në fshatrat që janë boshatisur – Regjistrimi nxori në sipërfaqe tkurrjen e popullsisë
Alsat në fshatrat që janë boshatisur – Regjistrimi nxori në sipërfaqe tkurrjen e popullsisë
Gazetar: Mefail Ismaili
“17 km larg kryeqytetit ndodhet fshati Graçan, i cili dikur ka pasur rreth 70 shtëpi të banuara. Por sot banojnë vetëm tre banorë të cilët rrinë këtu për të ruajtur bagëtitë e tyre”, raporton gazetari i Alsat, Mefail Ismaili.
Banorët që takuam thonë se fshati është braktisur për shkak të mungesës së perspektivës, papunësisë, dhe kushteve më elementare për një jetë normale, shkruan Alsat.
“Përpara, aq sa ka i kam mbërri unë 40 deri 48 shtëpi, por prej vitit 1981 e këndej kanë filluar ta lëshojnë katundin. Në katund a ka fëmijë më a ka njerëz? Jo nuk ka fëmijë do të thotë shkolla ka punuar në atë kohë deri në vitin ’82… Këtu nuk ka pasur autobus asnjëherë, arsyet kanë nisur prej aty që të ikin njerëzit, ta dërgoje fëmijën në shkollë duhej ta dërgoje me diçka, nuk kishim as automjete as asgjë. Unë për vete pesë vite kamë shkuar e kam ardhur në shkollë në këmbë në Nikoishtan, si fëmijë”, thotë Banor i fshatit Graçan.
Edhe fshati Raoviq i cili ndodhet vetëm 13 km larg nga Komuna e Sarajit është shumë afër braktisjes së plotë.
“Fshati Raoviq i cili ndodhet rreth 13 km nga Komuna e Sarajit është njëri nga vendbanimet i cili thuajse është braktisur tërësisht. Nëse deri para 10-15 viteve në këtë fshat ka pasur të plota 78 shtëpi, tani ata janë boshe dhe vetëm gjashtë prej tyre kanë banorë. Kjo për faktin se mungojnë kushtet elementare për banesë”, raporton gazetari i Alsat, Mefail Ismaili.
“Banor ky fshat ka pasur shumë, diku tek 780 banor ka pasur ky fshat. Por kohën e fundit u braktis se infrastruktura e dobët. Shkolla e mesme larg, sepse filloren e kemi në fshat. Tani kanë mbetur gjashtë a shtatë shtëpi, edhe ata dita ditës shpërngulen. Tash nuk ka ndonjë perspektivë më të mirë për të jetuar njerëzit në këtë fshat”, tha Muhamet Avdurramani, banor i Raoviqit.
Raoviqi tani ka vetëm 4 ose 5 nxënës që mësojnë në shkollë fillore. Ky fshat dhe Graçani janë në mesin e 207 vendbanimeve të cilat sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë kanë shumë pak apo asnjë banorë./ Alsat.mk








