Alsat siguron pamje ekskluzive nga Arkivi i Maqedonisë së Veriut: Dokumenti më i vjetër i shekullit XII

Alsat siguron pamje ekskluzive nga Arkivi i Maqedonisë së Veriut: Dokumenti më i vjetër i shekullit XII

Gazetar: Suad Bajrami

Këtë që po shihni në pamje është dokumenti origjinal më i vjetër që posedon Arkivi Maqedonisë së Veriut. Daton prej shekullit të XII-të dhe është fragment nga Ungjilli i Shën Llukës, është i shkruar me dorë në shkrimin e vjetër grek, në material prej lëkurës së kafshëve i quajtur pergament, i cili është përdorur për shkrim që në shekullin e II-të para erës sonë si zëvendësim i papirusit.

Vlera e këtij fragmenti të shkruar mbi 800-vjet më parë llogaritet të jetë kolosale, ndërsa në Arkivin e Shtetit ndodhet prej vitit 1970-të falë një familjeje të fuqishme tregtare nga Ohri, të quajtur Robev, për të cilët kanë operuar në Ballkan dhe Evropën mes shekullit 16 dhe 20. Në fakt, shumica e dokumenteve më me vlerë në Arkiv të Shtetit janë të dorëzuar nga persona privat. Fragmenti, është ruajtur në fondin e arkivit familjar.

Krahas tij, edhe këtë dokument që po e shihni në pamje është i kategorisë së parë. Nga Arkivi shpjegojnë se bëhet fjalë për një fragment të një dokumenti kishtar sllav i cili daton nga shekulli i XIII-të.

Në Arkivin e Shtetit ruhen gjithsej 7.769 fonde arkivore të cilat janë të periudhave të ndryshme historike. Gjithsej ka rreth 70.000 libra arkivor, 382 përmbledhje, por edhe një sërë materialesh të filmuara në mikrofilma.

Arkivi i shtetit është i pasur gjithashtu edhe me dokumente të periudhës së Perandorisë Osmane. Këtë dokument që po shihni është origjinali i një fermani apo urdhri me shkrim të sulltanit në Perandorinë Osmane nga shekulli i XVII.

Këtë që po shihni aktualisht quhet Berat, një dekret i Perandorisë Osmane që cakton dikë për të shërbyer në administratën shtetërore ose në ushtri.

Në vijim, mund të shihni edhe një përmbledhje apokrifësh të shekullit të XVI, që siç shpjegojnë nga Arkivi janë të shkruara shkruar në gjuhën e sllavishtes së vjetër, por me alfabet grek. Materiali, gjithashtu konsiderohet si një ndër pasuritë më të rëndësishme të arkivit.

Në Arkiv, gjithashtu ekziston edhe përmbledhja e sixhileve osmane, apo evidencave të Kadiut për procedurat gjyqësore. Përmbledhjet janë të Kadiut nga Gjykata e Manastirit dhe kapin harkun kohor të viteve 1607 – 1912, ndërsa nga Arkivi thonë se kjo përmbledhje është e vetmja që është ruajtur në tërësi nga Perandoria Osmane.

Në arkiv ekzistojnë edhe dokumente dhe materiale tjera të rëndësishme për të gjitha ngjarjet më me peshë edhe nga periudhat tjera kohore, përfshirë mes dy luftërave botërore, periudhën e komunizmit apo ish Jugosllavisë, por edhe periudhën pas shpalljes së pavarësisë. Drejtoresha e Arkivit Natasha Kotllar, thotë se Arkivi posedon mjaft dokumente të kategorisë së parë dhe për këtë mund të krahasohet me shtetet evropiane.

“Nëse dikush është krenar në Austri për dokument të Carit, ne jemi krenarë për dokumentin e Sulltanit që quhet ferman dhe ne e kemi”, deklaroi Natasha Kotllar, drejtoreshë e Arkivit të Shtetit.
Megjithatë, dallimi mes shteteve evropiane dhe Maqedonisë, është mungesa e kujdesit.

“Kemi dokument prej kategorisë së parë, ndërsa ndërtesë prej cilës kategori? Eh, atë të ju them si njeri i thjeshtë mund ta them unë jam e shqetësuar për konstruksionin dhe kushtet që i ofron ndërtesa”, tha Natasha Kotllar, drejtoreshë e Arkivit të Shtetit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button