AlternAtivA: E mbështesim TV “Alsat-M” për të drejtën e pronës së tij

AlternAtivA: E mbështesim TV “Alsat-M” për të drejtën e pronës së tij

Partia AlternAtivA, përmes një komunikate për media, kanë mbështetur Televizionin Alsat për të drejtën e pronës së tij, dhe po ashtu, kjo parti e ka cilësuar këtë rast si presion ndaj fjalës së lirë.

Ky është reagimi i plotë i Alternativës:

Siç jemi të informuat të gjithë, televizioni nacional “Alsat-M” ballafaqohet me një problem pronësoro-juridik, duke rrezikuar ta humbë një pjesë të pronës që e ka në QT “Mavrovka” në Shkup.

Pasi që e kemi ndjekur këtë ngjarje, mund të konstatojmë se në këtë rast kemi të bëjmë me presion ndaj fjalës së lirë ose bëhet fjalë për gabime të institucioneve shtetërore, çmimin e të cilave e paguajnë mediat, në këtë rast “Alsat-M”.

Duke pasur kujdes që mos të marrim rolin e gjykatësit, AlternAtivA mendon se në këtë mënyrë po ushtrohet presion ndaj medias, në këtë rast ndaj televizionit nacional – të themeluar nga një kompani shqiptare – që për vite shërben si model për ndërtimin e shoqërisë multientike në vendin tonë. Edhe nëse pranohet shpjegimi institucional se nuk është fjala për presion, porse për çështje juridike, fakti që dëmtohet një media e këtij niveli dhe e kësaj peshe informative, flet shumë për shtetin të cilin e kemi ndërtuar ndër vite dhe dëmi është bërë. Nuk është e justifikueshme që për gabimet që i bëjnë institucionet faturën ta paguajnë mediat ose qytetarët.

Për këtë arsye, AlternAtivA do të angazhohet në institucionet e pushtetit që të ndalet ky presion ndaj TV “Alsat-M”, ndërsa me këtë rast i bën thirrje pushtetit që mos të lejojë që dëme të këtilla ta rrënojnë besimin ndaj institucioneve.

Me këtë rast po theksojmë se kjo është edhe një arsye se pse duhet të shpejtohet procesi i digjitalizimit të administratës, për çka jemi duke punuar në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe të Administratës, që kështu të thellohet bashkëpunimi ndërinstitucional dhe të evitohet gabimet e këtilla.

Shkup, 05.11.2022 AlternAtivA – Shkup

LEXO EDHE:

Back to top button