Ambasadorja e Zvicrës porosit qytetarët: Kujdesuni më shumë për natyrën

Ambasadorja e Zvicrës porosit qytetarët: Kujdesuni më shumë për natyrën

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Kujdes me prerjen e pakontrolluar të pemëve dhe hedhjen e mbeturinave vend e pa vend, me qëllim që të mbrohemi nga përsëritja e vërshimeve të shtatë viteve më parë. Këtë porosi e përcolli ambasadorja e Zvicrës, e cila bashkë me ministrin e Ekologjisë, kreun e komunës dhe përfaqësuesin e UNDP-së, vizituan punimet në fshatin Shipkovicë, përkatësisht shtratin e lumit të këtij fshati, si pasojë e të cilit, shtatë vite më parë u shkatërruan shumë shtëpi dhe u humbën madje edhe jetë njerëzish.

“Siç e shihni është bërë punë në terren dhe me dokumentacion shumë solid, por çka do që të bëjmë ne në pikëpamje infrastrukturore, neve na duhet prekja e njeriut që e gjithë kjo të funksionojë. Sepse, nëse sërish do kemi shumë mbeturina nëpër lumenj, do kemi sërish bllokime dhe kolaps të tyre me çka sërish mund të na ndodh katastrofa. Po ashtu duhet edhe mbrojtja e natyrës, që të mos ketë efekt në rrjedha lumi dhe të na përsëritet katastrofa”, deklaroi Veronik Ulman Marti, ambasadore e Zvicrës në Maqedoni.

“Ne kemi ndarë fonde për parkun kombëtar ku kishte deponi jolegale dhe i pastruam gjitha ata. Por grumbullimi i mbeturinave bie në nivelin lokal. Ne si qytetarë jemi të vetëdijshëm dhe do kujdesemi por na duhet infrastruktura, pra nëse ka kontejnerë besoj se qytetarët nuk do krijojnë deponi të reja”, u shpreh Naser Nuredini, ministër i Ekologjisë.

Kreu i Komunës Bilall Kasami paralajmëroi shtim të kontrolleve në terren.

“Me bashkësitë lokale po punojmë për pajisje me kontejnerë dhe jemi në fuqizim të ndërmarrjes të mbledhim mbeturinat në çdo fshat të malësisë që të mos lejojmë hedhjen vend e pa vend të mbeturinave”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Projekti për rregullimin e shtratit të lumit të Shipkovicës, pritet të përmbyllet në pranverën e vitit të ardhshëm, ndërsa në koordinim të UNDP-së, po punohet paralelisht edhe për rregullimin e shtratit të lumit në komunën e Bogovinës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button