Ançeloti me Brazilin: Të fitojmë sërish Kupën e Botës pas 24 vitesh

" "

Trajneri i kombëtares së Brazilit, Karlo Ançeloti, ka shprehur qartë objektivin e tij madhor: rikthimin e “Seleçaos” në majën e botës. Në një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s, tekniku italian tha se ndjen mbi vete dhe lojtarët përgjegjësinë për të fituar Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut.

“Përgjegjësia ime dhe e lojtarëve është të arrijmë atë që çdo brazilian dëshiron: të fitojmë sërish Kupën e Botës pas 24 vitesh. Po, në të vërtetë, po e shijoj shumë këtë eksperiencë. Që në fillim jam ndier rehat falë Federatës Braziliane dhe lojtarëve. Deri tani gjithçka po ecën mirë. Jemi tashmë të kualifikuar, ndaj kemi kohën e duhur për t’u përgatitur siç duhet për Botërorin,” deklaroi Ançeloti.

Tekniku italian shpjegoi edhe arsyet që e shtynë të pranonte pankinën e Brazilit.

“Mendova se ishte një mundësi e jashtëzakonshme të trajnoja kombëtaren më të suksesshme në histori. Ideja për të marrë pjesë në Kupën e Botës me Brazilin është e pabesueshme. Ishte një shans që nuk mund ta humbja. Sigurisht, duhet të falënderoj edhe Real Madridin, që më dha mundësinë të jetoj këtë përvojë të re.”

Interesant është fakti që mund të shohim Brazilin duke luajtur në Vankuver, qyteti kanadez ku Ançeloti jeton prej vitesh me bashkëshorten e tij kanadeze.

“E dua shumë Vankuverin. Është një qytet i bukur me një pasion të madh për sportin. Është një nga qytetet mikpritëse të Kupës së Botës dhe mundësia që Brazili të luajë aty është reale. Do të më pëlqente shumë. Kanadaja ka një skuadër të mirë dhe një trajner të shkëlqyer. E gjithë atmosfera atje është fantastike.”

Në përfundim, Ançeloti e vlerësoi turneun si më të madhin e të gjithëve.

“Kupa e Botës është turneu më i rëndësishëm në futboll. Ajo tërheq gjithmonë vëmendjen e të gjithëve. Mendoj se Botërori 2026 do të jetë shumë i balancuar, me ekipe të forta dhe lojtarë të jashtëzakonshëm. Do të jetë një Botëror emocionues.”

LEXO EDHE:

Back to top button