Anëtarët e Këshillit Gjyqësor kontestojnë interpelancën, nuk ndjejnë përgjegjësi
Anëtarët e Këshillit Gjyqësor kontestojnë interpelancën, nuk ndjejnë përgjegjësi

Gazetar: Mihajllo Donev
Anëtarët e Këshillit gjyqësor nuk ndjejnë përgjegjësi dhe e kontestojnë interpelancën në Kuvend të dorëzuar nga pushteti. Disa nga ta thonë se interpelanca e drejtuar vetëm ndaj anëtarëve të caktuar nuk do të sjell reforma konkrete në drejtësi.
“Me interpelancën e anëtarëve individual, në drejtësi nuk po kryhen reforma thelbësore, sepse ndryshimi personal nuk mund të trajtohet si reforma thelbësore. Unë pretendoj se funksionin tim si anëtare e Këshillit gjyqësor e kam kryer në mënyrë më të ndërgjegjshme dhe të ndershme, andaj, të them të drejtën, nuk ndjej as përgjegjësi morale e as profesionale për të dhënë dorëheqje”, tha Tanja Çaçarova Ilievska- anëtare e Këshillit gjyqësor.
Ndryshe nga Çaçarova-Ilievska, anëtari Milazim Mustafa nuk tregoi nëse do të japë dorëheqje.
“Ne e kemi shprehur mendimin tonë për të gjitha arsyet që janë thënë në interpelancë dhe shpresojmë se do të ketë rezultat pozitiv. (A do të jepni dorëheqje?) Mendoj se duhet ta presim rezultatin, pastaj të gjithë do të jemi në situatë të pastër”, theksoi Milazim Mustafa– anëtar i Këshillit gjyqësor.
Krahas Mustafës dhe Ilievskës, interpelanca i përfshin edhe Pavlina Cërvenkovskën, Selim Ademin dhe Vesna Damevën, përkatësisht për ata që kanë marrë vende në Këshill përmes legjislativit. Pasi anëtarët kanë dorëzuar tashmë përgjigjet për interpelancat, Kuvendi tani do të duhet të caktojë seancë për votimin e tyre, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme. Por edhe nëse deputetët votojnë mosbesimin ndaj tyre, në fund janë vetë anëtarët ata që do të vendosin nëse do të tërhiqen apo jo nga Këshilli. /Alsat.mk