Opozita pa qëndrim rreth propozimit për shkarkimin e Kocevskit
Opozita pa qëndrim rreth propozimit për shkarkimin e Kocevskit

Gazetar: Mihajllo Donev
Opozita ende nuk ka qëndrim se si do të votojë në Kuvend lidhur me propozimin e qeverisë për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocvevski. Megjithatë, për LSDM-në, përpjekjet për ndryshimin e Kocevskit janë përpjekje për partizim dhe reformat reale duhet të kërkohen përmes afrimit me drejtësinë evropiane.
“Ne si LSDM do të mbështesim gjithçka që ka të bëjë me reformën në gjyqësor, e cila është në kuadër të përafrimit të gjyqësorit tonë me atë të Bashkimit Evropian. Rruga është e qartë, besoj se çdo gjë tjetër që devijon nga ajo rrugë është praktikisht tentativë për ta partizuar gjyqësorin dhe prokurorinë dhe nuk mendoj se kemi nevojë realisht për këtë”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Qeveria, nga ana tjetër, konsideron se Kocevski është instaluar nga pushteti i kaluar dhe se pikërisht për shkak se opozita është kundër largimit të tij, ai duhet të shkarkohet.
“Vetë fakti që thonë se Kocevski nuk duhet të ndryshohet, duhet ta bëjmë të kundërtën – të bëjmë gjithçka që është në dorë për ta ndryshuar atë, sepse e dimë se çfarë mendojnë qytetarët për sistemin e gjyqësorit nën stafetën e këtij koalicioni LSDM dhe BDI në të kaluarën. Besimi është dy, tre për qind, prandaj pres që ky proces të përfundojë shpejt dhe me efikasitet dhe të zgjidhet prokuror që do të jetë mbrojtës i drejtësisë, e jo mbrojtës i qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së”, u shpreh Hristijan Mickoski kryeministër.
Qeveria e ka miratuar dje propozimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe duhet ta dorëzojë në Këshillin e Prokurorëve Publikë, por Këshilli thotë se ende nuk e kanë marrë. Nga Qeveria thanë për Alsat se janë duke u zhvilluar procedura të caktuara për dorëzimin e propozimit dhe së shpejti do të jetë para anëtarëve të këshillit. Pasi propozimi të arrijë përfundimisht në këshill, anëtarët do të kenë dy javë kohë për të përgatitur mendimin dhe pavarësisht nëse do të japin mendim pozitiv apo negativ, fjalën e fundit për shkarkimin e Kocevskit do ta thonë deputetët në Kuvend. /Alsat.mk