Myfortic falas për pacientët me organe të transplantuara, nga sot

Pacientët me organe të transplantuara në RMV, nga sot mund ta marrin pa pagesë shtesë ilaçin Myfortic (acid mikofenolik) 180 mg dhe 360 mg në farmacitë e kontraktuara të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Nga Fondi njoftojnë se të gjitha procedurat e nevojshme për zbatimin e masës janë përfunduar. Bordi i Drejtorëve ka dhënë pëlqimin e nevojshëm, janë bërë ndryshimet në Librin e Kodit të Barnave, ndërsa farmacitë e kontraktuara janë njoftuar për mënyrën e re të shpërndarjes.

Kështu, pacientët nuk do të paguajnë më 615 denarë për Myfortic 180 mg dhe 1.439 denarë për Myfortic 360 mg.

Nga FSSH sqarojnë se bëhet fjalë për një terapi me rëndësi të veçantë për pacientët me organe të transplantuara, e cila përdoret për një periudhë të gjatë dhe për të cilën është e rëndësishme që të jetë vazhdimisht e disponueshme.

Sipas Fondit, vendimi u mor pasi u konstatua se barnat alternative pa bashkëpagesë aktualisht nuk janë të disponueshme në tregun vendas për shkak të problemeve të prodhimit dhe arsyeve teknike. Për këtë arsye, ilaçi origjinal Myfortic do të ofrohet pa bashkëpagesë.

Nga FSSH thonë se kjo zgjidhje u vendos ndër prioritetet me iniciativën e drejtorit të Fondit, Zlatko Perinski, në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe shërbimet eksperte të Fondit.

Me këtë masë, pacientët do të mund të sigurojnë terapi të vazhdueshme pa kosto shtesë, ndërsa njëkohësisht ruhet edhe efekti i uljes së çmimit të ilaçit të arritur më parë.

Çmimi i Myfortic 180 mg është ulur me 291 denarë, ndërsa ai i Myfortic 360 mg me 2.012 denarë. Sipas FSSH-së, falë çmimeve të ulura, kursimet e parashikuara për Fondin vetëm për gjysmën e dytë të vitit 2026 arrijnë në rreth 1 milion denarë.

LEXO EDHE:

Back to top button