Anëtarët e Këshillit Gjyqësor, mblidhen për rekomandimet e BE-së

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor, mblidhen për rekomandimet e BE-së

Gazetar: Suad Bajrami

Këshilli Gjyqësor, të mërkurën pritet të mbajë konferencë në të cilën do të elaborohen të gjitha masat të cilat i kanë ndërmarrë për t’i realizuar rekomandimet e Misionit Vlerësues të Bashkimit Evropian, të cilët, gjatë vitit të kaluar dorëzuan gjithsej 17-të, shkruan Alsat.

Në drejtim të realizimit të rekomandimeve, Këshilli që zgjedhë dhe shkarkon gjyqtarët, në seancat e kaluara miratoi Strategjinë e Komunikimit dhe e ndryshoi rregulloren e punës me të cilën, parashikohet llogaridhënie nga Këshilli dhe anëtarët për vendimet e miratuara në lidhje me zgjedhjen e gjyqtarëve.

Konferenca mbahet derisa në vend vazhdon debati nëse duhet ose jo të shpërndahet Këshilli Gjyqësor.

Kryeministri Hristijan Mickoski, në disa dalje, por edhe në programin qeveritar, premton se duhet të shpërndahet ky trup pasi e ka humbur besueshmërinë te qytetarët, ndonëse ekspertët paralajmërojnë për të mos u nxituar me masa të këtilla, pasi që, mund të interpretohet si ndërhyrje e ekzekutivit në gjyqësor.

Në program, shkruan se Qeveria do të iniciojë edhe ndryshime të Kushtetutës në pjesën e rregullimit të përbërjes së këshillave, gjatë së cilës do të kërkohet që anëtarët të zgjedhën nga radhët e gjykatësve dhe prokurorëve.

Kandidatët, duhet ë plotësojnë kritere të larta personale dhe profesionale.

“Gjatë procesit të reformave në Këshillin Gjyqësor do t’i marrim parasysh të gjitha rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe praktikat e mira evropiane”, thuhet në Programin e Qeverisë.

Nga ana tjetër, sipas raportit të progresit kërkohet që Maqedonia e Veriut duhet ta rishikojë kuadrin ligjor për funksionimin e Këshillit Gjyqësor, në mënyrë që të rritet transparenca dhe pavarësia.

Megjithatë, udhëzimet e BE-së, nuk janë në drejtim të shpërndarjes së plotë të Këshillit Gjyqësor. Ditë më parë ambasadorja e SHBA-së, Angela Ageler vlerësoi se ideja për shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor është interesante.

Ajo, theksoi rëndësinë e ndarjes së politikës nga gjyqësori, megjithatë, rikujtoi autoritetet se ekzistojnë sugjerime në raportin e Bashkimit Evropian, por edhe nga Misioni Vlerësues i BE-së./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button