Antikorrupsioni me nismë në Prokurori për ndjekjen penale të drejtorit të Agjencisë së Rinisë dhe Sportit Naumçe Mojsovski

Antikorrupsioni me nismë në Prokurori për ndjekjen penale të drejtorit të Agjencisë së Rinisë dhe Sportit Naumçe Mojsovski

Gazetar: Mefail Ismaili

Komisioni për Anti korrupsion vendosi të ngre iniciativë në Prokurorinë Publike për ndjekje penale ndaj drejtorit aktual të Agjencisë së Rinisë dhe Sportit, Naumçe Mojsovski si dhe për anëtarët e Komisionit qendror. Kjo për shkak të dyshimeve të bazuara për keqpërdorim dhe mosrespektim të “sistemit për vauçerë” për financimin e Fondacioneve dhe klubeve sportive. Sipas analizë së Anti Korrupsionit rreth një miliardë denarë investohen në sport në mënyra të ndryshme, por Agjencia e Rinisë dhe Sportit nuk ka asnjë llogaridhënie si i ndan dhe si shpenzohen paratë.

“Duke mos i respektuar kriteret për ndarjen e fondeve përmes sistemit për vauçerë ekzistojnë dyshime se Komisioni Qendror në vazhdimësi nga viti 2020 deri më tani bën ndarje joligjore, respektivisht ndarje të vauçerëve për shfrytëzues të autorizuar, federata dhe klube, në pajtueshmëri me interesin e individëve dhe grupeve, ndoshta edhe parti politike dhe i kanë vendosur në situatë të palakmueshme ato subjekte sportive të cilat nuk kanë fituar fonde përkatëse, edhe pse kjo e drejtë ju ka takuar me ligj”, tha Vlladimir Georgiev, anëtar i KSHPK.

Kryetarja e Komisionit për Antikorrupsion thotë se sistemi aktual i financimit të sportit është joefikas. Ajo shton se askush nuk jep llogari për miliarda denarët e investuara në sport.

“Në vit miliarda denarë shkojnë në sport por jo deri atje ku duhet të arrijnë, respektivisht deri tek sportistët e vërtetë. Shumë herë kemi folur rreth mënyrës jo transparente të shpenzimit të fondeve, mos përgjegjësi, mungesë e llogaridhënies, as nga ana e federatave as nga ana e atij që i jep paratë, kjo është Agjencia e Rinisë dhe Sportit, e cila si organ shtetëror është e obliguar të kryej kontrolle”, u shpreh Biljana Ivanovska, kryetare e Anti Korrupsionit.

Nga Antikorrupsioni deri në Qeveri do të dorëzojnë nismë për të konfirmuar përgjegjësinë për zyrtarët e Agjencisë ndërsa në Drejtorinë e të Ardhurave Publike për mbikëqyrje te të gjitha subjektet sportive që kanë shfrytëzuar fonde përmes sistemit të vauçerëve në periudhën 2020-2022. Pas publikimit të dëshmive nga Antikorrupsioni, Komiteti Olimpik i Maqedonisë së Veriut ka kërkuar nga Qeveria që ta shkarkojë drejtorin Naumçe Mojsovski për shkak të shpërdorimit të detyrës zyrtare./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button