Antikorrupsioni: Procedura për veturën e Vangellovskit, pa lëshime

Komisioni për parandalimin e korrupsionit nuk ka gjetur lëshime në procedurën për furnizim publik me të cilën ish kryetari i Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski u furnizua me veturë të llojit BMË me vlerë prej rreth 40 mijë eurosh. Megjithatë, nga aspekti etik, anëtarët e Antikorrupsionit vlerësojnë se krerët e institucioneve duhet të tregohen të përgjegjshëm dhe të veprojnë në përputhje me nevojat reale të institucionit.

Unë do të veçoja nga raporti i Revizionit vetëm një pjesë ku është konstatuar se kushtet hapësinore nuk i plotësojnë nevojat për funksionim normal të gjykatave, nuk ka numër të mjaftueshëm të hapësirave për lëndët e arkivuara, 1/3 e gjykatave nuk i kanë siguruar objektet dhe pajisjet, mungojnë edhe shumë pajisje të tjera teknike për incizim audio të seancave, dhe shumë e shumë mangësi të tjera – deklaroi Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit për parandalimin e korrupsionit.

Nuk do të duhej që furnizimet të bëhen sipas dëshirave dhe kapriçove personave të drejtuesve momental por sipas nevojave reale dhe mundësive që kanë institucionet – u shpreh Katica Nikollovska, anëtare e Komisionit për parandalimin e korrupsionit.

Kryetarja e Antikorrupsionit Biljana Ivanovska propozoi t’i rekomandohet Qeverisë që vlera e furnizimeve me vetura në institucionet publike të kufizohet.

T’i propozojmë Qeverisë se çfarë lloj veture mund të kenë institucionet shtetërore, të bëhet kufizim në këtë mënyrë, të mos mundësohet që buxheti të mbulojë vetura kaq të shtrenjta por deri në një markë të caktuar të përdoret për qëllime zyrtare – theksoi Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit për parandalimin e korrupsionit.

Megjithatë propozimi i Ivanovskës në seancën e këtij institucioni nuk u konfirmua sepse vendimet e ekzekutivit nuk prekin gjyqësorin i cili është pushtet i pavarur. Në sqarim, Vangellovski i tha thënë Antikorrupsonit se nuk është e përshtatshme që kreu i Supremes të vozitet më veturë më të lirë.

Ndërkohë në seancën e sotme, Komisioni për parandalimin e korrupsionit njoftoi dorëzimin në procedurë për kundërvajtje rastet e ministrave, ish ministrave dhe ish zëvendësministrave të Qeverisë politike të vitit 2017, të asaj teknike të janarit të 2020-tës dhe të Qeverisë aktuale, për mos-dorëzim të listave anketuese ose deklaratave për konfliktin e interesave. Kjo procedurë kap Nikolla Dimitrovin, Naser Nuredinin, Bekim Maksutin, Andrej Zhernovskin, Sadik Beqirin, Cvetan Tripunovskin, Llage Cvetkoviqin, Asim Musën, Suhejl Fazliun dhe Elizabeta Naumovskën.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button