E përditshmja spanjolle “Marca” ka zbuluar se Arabia Saudite, që kishte në shënjestër organizimin e botërorit 2030, ka hequr dorë nga organizimi i këitj eventi. Shteti arab do ta organizonte këtë veprimtari bashkë me Greqinë dhe Egjiptin, në një kandidaturë treshe.
Sipas mediave, shteti arab ka kuptuar se është në disavantazh ndaj kandidaturës tjetër për organizimin e këtij botërori, asaj të treshes Spanjë-Portugali-Marok. “Marca” sqaron se trioja iberiko-marokene është në avantazh, ka paraqitur zyrtarisht kandidaturën dhe projekti është në fazë të avancuar.
Tërheqja e Arabisë ka befasuar disi opinionin publik, pasi ky shtet po investon miliona në futboll për të afruar yjet e këtij sporti. Këtë verë, ofertat marramendëse që vijnë nga vendet arabe po pushtojnë mediat botërore, duke patur si qëllim pikërisht forcimin e kandidaturës së Arabisë për botërorin 2030.
Kështu, për momentin, duket se gara për botërorin 2030 do të mbesë mes dy kandidaturave. Përveç kandidaturës Spanjë-Portugali-Marok, pritet që edhe një bashkim amerikano-latin të hyjë së shpejti në garë. Kjo kandidaturë do të përbëhet nga bashkimi i 4 shteteve: Argjentinë, Uruguaj, Kili dhe Paraguaj. Zyrtarizmi i kandidaturës fituese do të bëhet në shtator 2024.








