Arijanit Hoxha: Besa dhe Alternativa mundë të bashkëpunojnë në opozitë

Gazetar: Ardit Ramadani

Pas gatishmërisë së shfaqur nga kreu i Alternativës, Afrim Gashi për të bashkëpunuar me Lëvizjen Besa, zëvendës kryetari i kësaj të fundit Arijanit Hoxha në Emisionin 360 gradë, tha se bashkëpunimi është i mundur vetëm pasi partia e Gashit zyrtarisht të kalojë në opozitë.

“Normalisht që në momentin që qartësohet situata politike, kur Alternativa edhe de fakto të jetë pjesë e opozitës, normalisht që neve na bashkojnë vizioni opozitar dhe do të jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bashkëbisedojmë për vlerat të cilat i ndajmë, nëse i ndajmë vlerat e njëjta për atë se si duam ta shohim shtetin dhe të ardhmen e shtetit, do ulemi dhe do të bashkëbisedojmë”, u shpreh Arijanit Hoxha, zv/kryetar i Lëvizjes Besa.

Mundësia e bashkëpunimit të Alternativës dhe Lëvizjes Besa u aktualizua pas deklaratës së Gashit në Emisionin 200 se në politikë gjithçka është e mundur. Gashi tha se është i gatshëm për çdo bashkëpunim që është në të mirë të qytetarëve.

“Ju e dini që na ka ndodhur ajo çfarë na ka ndodhur dhe unë nuk ndjehem mirë për atë që ka ndodhë, megjithatë në detyrën që e kam dhe petkun që ma kanë m’veshë dhe besimin që ma kanë dhënë bashkëpartiakët e mi, unë jam i detyruar të komunikoj kur ata do të vendosin se është mirë për interesin e partisë… A mund të vijë deri te bashkimi i Lëvizjes BESA?.. Pse jo, gjithçka është e mundur, sidomos në politikë”, tha Afrim Gashi, kryetar i Alterantivës.

Drejtuesit e Alternativës dhe Besës përveç sinjaleve për të bashkëpunuar mes vete, kanë realizuar takime edhe me drejtuesit e “Grupit të Zjarrit”. Nëse pjesëtarët e këtij grupi përjashtohen ose shkëputen nga BDI-ja, nuk përjashtohet mundësia e krijimit të një fronti opozitar mes këtyre grupimeve politike, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare./Alst.mk

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button