Armenia kërkon ndihmën e Rusisë pas rritjes së tensioneve me Azerbajxhanin
Armenia i ka kërkuar Moskës ndihmë për mbrojtje kundër Azerbajxhanit, pas rikthimit të përplasjeve të përgjakshme në zonën kufitare, një vit pasi një armëpushim i pati dhënë fund një lufte intensive në rajonin e Nagarno-Karabakut.
Ministria e Mbrojtjes në Azerbajxhan ka thënë më 16 nëntor se forcat e saj kanë parandaluar “provokime të shkallës së lartë”, nga forcat armene në Kalbajar dhe Laçin, rajone në kufi me Armeninë.
Sipas Ministrisë, dy ushtarë të saj janë plagosur pasi njësitet ushtarake armene kanë përdorur mortaja dhe artileri kundër pozicioneve të forcave të Azerbajxhanit në kufi.
Në anën tjetër, Ministria armene e Mbrojtjes, ka akuzuar ushtarët e Azebajxhanit se kanë qëlluar në pozicionet e saj në kufi, duke përdorur artileri, makina të armatosura dhe armë tjera.
Sipas Ministrisë, 12 ushtarë armenë janë zënë nga forcat e Azerbajxhanit.
Eduard Aghajanian, udhëheqës i Komisionit parlamentar për Çështje të Jashtme në Armeni, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sipas vlerësimeve preliminare, 15 ushtarë armenë mund të jenë vrarë në luftime.








