Armëpushimi i përkohshëm ka vënë në lëvizje shumë ukrainas
Armëpushimi i përkohshëm ka vënë në lëvizje shumë ukrainas
Gazetare: Evi Shkopi
Armëpushimi i përkohshëm mes Rusisë dhe Ukrainës ka vënë në lëvizje shumë ukrainas që kishin ngecur në zonat ku zhvilloheshin luftime, pa pasur mundësinë që gjatë ditëve të kaluara të largoheshin drejt shteteve apo qyteteve më të sigurta, shkruan Alsat.
Dhjetëra ukrainas që po largoheshin nga Irpini kaluan mbi një lumë të vogël, nëpër rrënojat e një ure të dëmtuar.
Ura në fjalë është dëmtuar nga sulmet e ditëve të fundit, ku u regjistruan edhe viktima. Mijëra njerëz kanë hyrë në Kiev ditët e fundit, shumë prej tyre që më pas janë dërguar me furgonë në stacionin hekurudhor për evakuim të mëtejshëm me tren në perëndim të Ukrainës.
“Sot (këtu) nuk ka pasur shpërthime, por tani janë katër ditë pa ngrohje, pa rrymë, pa ujë, pa rrjet celular. Interneti kabllor ka funksionuar disa herë”, tha nj civil nga Ukraina.
Moti i ftohtë vështirëson edhe më shumë udhëtimin e tyre.
“Po, ishte pak e frikshme kur kalova lumin Irpin. Dhe kishte të shtëna, ishte pak e frikshme të kaloja lumin sepse kishte një përmbytje dhe më duhej të ecja mbi ujë. Këmbët i kisha pak të lagura dhe përveç kësaj, ata gjuanin nga ana nga fshati Stoyance dhe Buça”, u shpreh një civile nga Ukraina.
Ndihmësi presidencial ukrainas Kyrylo Tymoshenko postoi të mërkurën disa video ku shiheshin autokolona automjetesh që përgatiteshin për të evakuuar civilët dhe për të shpërndarë ndihma humanitare në zonat e rrethuara.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se vendimi për armëpushimin e përkohshëm për evakuimin e civilëve nga qytetet Kiev, Harkov, Çernihi, Sumy dhe Mariupol ka hyrë në fuqi në orën 10.00 me orën e Moskës. Sipas zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara numri i refugjatëve ka arritur në 2 milionë njerëz.
Numri i refugjatëve ukrainas në vendet evropiane sipas OKB-së:
Polonia — 1 204 403
Hungari – 191 348
Sllovakia – 140 745
Rusi – 99 300
Moldavia – 82 762
Rumani – 82 062
Bjellorusia – 453
Shtetet e tjera evropiane – 210,239








