Arratisjet praktikë e shpeshtë në Maqedoni/ Funksionarë të ndryshëm i kanë ikur drejtësisë, mes tyre edhe Gruevski
Arratisjet praktikë e shpeshtë në Maqedoni/ Funksionarë të ndryshëm i kanë ikur drejtësisë, mes tyre edhe Gruevski
Gazetar: Suad Bajrami
Kthimi i Artan Grubit pas arratisjes 14 mujore, rikthen vëmendjen për të kërkuarit e drejtësisë që ndër vite kanë ikur nga shteti.
Mes shumë rasteve, më eklatanti është ai i Dragan Daravelskit, ish drejtorit të Doganave i cili për 20 vite ishte në arrati, ndërsa pas kthimit në shtet u lirua nga mbajtja e dënimit me 7 vjet burg, pasi ndërkohë është vjetërsuar vepra penale.
Arratisjet ishin fenomen edhe gjatë kohës kur funksiononte Prokuroria Speciale. Dy agjentët e Policisë Sekrete, Goran Grujoski dhe Nikolla Boshkoski të akuzuar për përgjimin e paligjshëm masiv gjatë periudhës së pushtetit të Nikolla Gruevskit, tanimë 9 vite janë azilant në Greqi, pasi u arratisën nga drejtësia.
I arratisur tanimë tetë vite është ish kryeministri Gruevski, i cili iku në Hungari, në kohën kur duhej të shkonte në burg.
Në shkurt të vitit 2021, u arratis edhe shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov. Pasi shteti u angazhua për ta gjetur dhe kishte reagime të ashpra Mijallkov u paraqit.
“Zotëri Mijallkov jeni në Maqedoni? Po këtu jam. Ishit në arrati? Tërë Maqedonia ju kërkonte Policia… Kuptova në mëngjes dhe më vjen keq, ja erdha pasi mora vesh”.
Pas kësaj, në vend paraburgimit, Mijallkov përfundoi në arrest shtëpie.
Njëjtë ndodhi edhe me biznesmenin Sead Koçan, i cili për disa muaj ishte në arrati. Pasi u dorëzua nën arsyetimin për shkaqe shëndetësore, edhe ai u dërgua në arrest shtëpie në vend paraburgimit.
Legjislacioni i vendit, nuk parashikon ndëshkim për arratisje nga drejtësia. E njëjta mund të merret vetëm si rrethanë rënduese gjatë procesit gjyqësor. /Alsat.mk









