Pensionistët dhe qytetarët e tjerë përballen me pritje të gjata të autobusëve, përgjysmohet numri i udhëtarëve

Pensionistët dhe qytetarët e tjerë përballen me pritje të gjata të autobusëve, përgjysmohet numri i udhëtarëve

Gazetar: Avni Tahiri

Të jesh pensionist dhe të presësh autobus është një sfidë më vete në Shkup. Edhe pse mosha e tretë shumë rrallë e shfrytëzon transportin publik, sërish përballet me pritje të gjata dhe në të shumtën e rasteve, pasi hipin në autobus, nuk gjejnë një vend të përshtatshëm për t’u ulur.

Disa pensionistë që sot takuam, pasi kishin përfunduar pazarin, prisnin autobusin e NQP-së për t’u kthyer në shtëpi. Sipas tyre, pritja zgjat mbi 30 minuta, ndërsa në stacion kishte edhe qytetarë të tjerë që përballeshin me të njëjtin problem.

”Ka 25 apo 30 minuta që presim autobusin për në Saraj e këtu në tabelë shkruan që edhe 25 minuta duhet të vije por kur do vije nuk e di. Sa shpesh udhëtoni me autobusë? Rrallë e shfrytëzoj pasi nuk shkojmë në ndonjë punë e shfrytëzojmë kur kemi nevoje”, tha një qytetar.

”Po presim nga gjysmë ore apo edhe një orë e ndonjëherë edhe nuk vjen fare. Udhëtoni shpesh me autobusë? Jo, rrallë, kur ishim të rinj po por tani jemi pensionistë dhe dalim njëherë në javë”, u shpreh një tjetër qytetar.

“Presim nga 30-50 minuta. Nuk ka autobusë jo, vetëm kot që janë”, theksoi një qytetar tjetër.

Sipas analizës së Qendrës për Komunikime Qytetare, në vetëm dhjetë vite, numri i udhëtarëve të transportuar me autobusët e NQP-së është ulur nga 52 milionë në 22 milionë udhëtar në vit. Nga 341 autobusë në total, vetëm 185 janë funksionalë dhe vetëm 157 përdoren çdo ditë. Mosha mesatare e autobusëve sipas analizës është 13,3 vjet ndërsa shumica e autobusëve janë të markave kineze “Yutong” dhe ukrainase “LAZ”, dhe vetëm 10% plotësojnë standardin më të lartë ekologjik Euro 6. Kreu i Shkupit Gjorgievski njoftoi se dërgesa e 100 autobusëve duhet të arrijë deri në muajt qershor ose korrik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button