Arrestohen 25 anëtarë të grupit që dyshohej se po planifikonte grushtshtet në Gjermani

Arrestohen 25 anëtarë të grupit që dyshohej se po planifikonte grushtshtet në Gjermani

Pas bastisjes së dhjetëra lokacioneve në 11 shtete federale të Gjermanisë, policia gjermane ka arrestuar 25 persona, të cilët dyshoheshin për komplot për rrëzimin e Qeverisë.

Prokurorët federalë thanë se në këtë aksion kanë marrë pjesë rreth 3.000 policë, të cilët kryen bastisje në 130 lokacione.

Ministri i drejtësisë, Marco Buschmann, e përshkroi aksionin si “operacion anti-terrorizëm”, dhe tha se dyshohet se ata kanë planifikuar një sulm të armatosur ndaj institucioneve të shtetit.

Raportimet gjermane thonë se grupi i përbërë nga figura të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarakë, planifikonte të sulmonte ndërtesën e parlamentit, Reichstag, dhe të merrte pushtetin.

Në krye të grupit dyshohet se ishte një 71-vjeçar, të cilit i referoheshin si princi Heinrich XIII.

Sipas autoriteteve gjermane, 22 nga 25 të arrestuarit janë shtetas gjerman, ndërsa tre të tjerë, përfshirë një shtetas rus, dyshohet se mbështesnin grupin.

Pjesë e këtij grupi thuhet se janë anëtarë të lëvizjes ekstremiste “Reichsbuerger” apo “Qytetarët e Rajhut”, të cilët janë prej kohësh në vëzhgimin e policisë gjermane për sulme të dhunshme dhe teori konspirative raciste.

Ata gjithashtu refuzojnë të njohin shtetin modern gjerman.

Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që thuhet se kanë bërë komplot për të përmbysur Republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së vitit 1871.

LEXO EDHE:

Back to top button