Arrestohet një ish-zyrtar i CIA-s për spiunim në Kinë – ALSAT-M


Një ish-zyrtar i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) është arrestuar në Shtetet e Bashkuara dhe është akuzuar për spiunim për Kinën, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Alexander Yuk Ching Ma, 67-vjeçar, përballet me dënim maksimal apo burgim të përjetshëm nëse dënohet në akuzat se ka kryer komplot me një të afërm, po ashtu zyrtar i CIA-s, për të ofruar informacion të klasifikuar për mbrojtje te zyrtarët kinezë të inteligjencës, ka thënë Departamenti i Drejtësisë përmes një njoftimi për media.

Ma pritet të paraqitet para gjykatës më 18 gusht, derisa Prokurori i Havajit, Kenji Price ka thënë se veprimet e të akuzuarit përbëjnë tradhti për SHBA-në.

“Ata që ofrojnë informacione për Republikën Popullore të Kinës nuk do të shpëtojnë nga krahu i gjatë i ligjit”, ka thënë Price.

Ma, amerikan i natyralizuar por i lindur në Hong Kong, ka nisur punën në CIA më 1982 dhe ka pasur qasje në infromacione tejet të rëndësishme.

Prokurorët kanë thënë se Ma është larguar nga CIA më 1989 dhe ka jetuar e punuar në Shangai, Kinë, para se të arrinte në Havaji më 2001.

Në njoftimin për akuza është përmendur një takim treditor në Hong Kong, gjatë së cilit, Ma është parë në disa incizime duke përfituar 50,000 dollarë për sekretet që ai dhe i afërmi i tij kanë ofruar.

Në dokumentet e gjykatës është thënë se masi Ma është kthyer në Havaji, ai ka synuar të punësohet si linguist në Byronë Federale të Hetimeve (FBI), për të fituar qasje në sekretet e qeverisë amerikane, për t’i dorëzuar më pas ato te spiunët kinezë.

LEXO EDHE:

Back to top button