Arsenali bën detyrën, Roma mposhtet nga Betisi

Arsenal vijon formën fantastike në këtë nisje të sezonit teksa mposhti në shtëpi me rezultatin 3-0, Bodo/Glimt. Trajneri Mikel Arteta i mundësoi minuta shumë prej lojtarëve të stolit ndërsa i besoi Granit Xhakës në rolin e kapitenit dhe në fakt, skuadra nuk e zhgënjeu teksa i zgjidhi shpejt fatet e takimit. Topçinjtë realizuan dy gola brenda pesë minutave, respektivisht në të 23-tën dhe të 28-tën, falë Nketiah dhe Holding. Në vijim, Arsenal e menaxhoi më së miri ndeshjen duke ruajtur edhe energjitë duke qenë se në fundjavë kanë një sfidë tejet impenjuese ndaj Liverpool ndërsa shënuan edhe golin e tretë me Viera në fraksionin e dytë. Pas këtij suksesi, Arsenal mban vendin e parë në Grupin A me gjashtë pikë, të ndjekur nga Bodo/Glimt me dy pikë më pak, ndërsa pas tyre renditen PSV dhe Zurich.

Sakaq, në ndeshjen e Grupit C, Roma dhe Betis përfundoi me shifrat 1-2 në favor të spanjollëve. Në fakt, ishte Roma ajo që gjeti rrugën e rrjetës e para me anë të Paulo Dybala që shndërroi në gol një 11-metërsh. Argjentinasi u tregua mjaft i saktë duke dërguar topin në një krah dhe portierin Bravo në krahun tjetër, megjithatë avantazhi i kryeqytetasve nuk zgjati shumë duke qenë se spanjollët barazuan me anë të Rodriguez që goditi fort në hyrje të zonës.

Gjithsesi, Roma pati shansin për t’u rikthyer në avantazh me anë të Zaniolos i cili nga fare pranë gjeti traversën ndërsa më pas Dybala u ndal në mënyrë të mrekullueshme nga portieri Bravo. Sa i takon fraksionit të dytë, munguan rastet e pastra dhe kur u duk se ndeshja po i drejtohej barazimit, Betis godet me anë të Luiz Henrique i cili mposhti me kokë Rui Patricion. Në fund, verdhekuqtë e mbyllën me 10 lojtarë pasi Nicolo Zaniolo u ndëshkua me të kuq pasi goditi kundërshtarin. Pas kësaj humbje, italianët ndërlikojnë aventurën në Europa League duke qenë se renditen në vend të tretë në Gruppin C me tre pikë, pas kryesuesve të Betis (9pikë) dhe Ludogorets (4 pikë) ndërsa mbyll grupin HJK me 1 pikë.

Rezultatet e Europa League, ndeshjet e orës 21:00:

 

Arsenal-Bodo/Glimt 3-0

Roma-Betis 2-1

Braga-Royale Union 1-2

Fenerbahce-AEK Larnaca 2-0

Freiburg-Nantes 2-0

Midtjylland-Feyenoord 2-2

Olimpiacos-Qarabag 0-3

Rennes-Dynamo Kyiv 2-1

LEXO EDHE:

Back to top button