Sasha Boej mund të largohet nga Gallatasaraj, pas dy viteve qëndrim në Stamboll. Mbrojtësi i djathtë francez ka shkëlqyer që prej transferimit te gjiganti turk nga Reni francez për shumën e 1,15 milionë eurove. Në 29 ndeshje zyrtare, anësori francez këtë edicion ka realizuar një gol dhe ka asistuar në katër të tjerë, duke zgjuar interesimin e skuadrave të mëdha evropiane.
Në fakt Arsenali e ka bërë prioritet transferimin e tij, me trajnerin Mikel Arteta që e pëlqen shumë anësorin francez. 22-vjeçari ka kontratë me skuadrën turke deri në verën e vitit 2025, por ai është i gatshëm për ta bërë një hap para në karrierën e tij.
“The Sun” ka raportuar se “Topçinjtë” kanë kontaktuar tani me drejtuesit e Gallatasarajit, të cilët e kanë njoftuar gjigantin anglez se Sasha Boej vlerësohet 25 milionë euro. Përveç Arsenalit në garë për të janë edhe Monako, Lajpcigu, Milani dhe Atletiko Madridi.








