Gjendja në arsimin e lartë, në kaos total

Pas skandalit me plagjiaturat në Universitetin e Tetovës, profesorë universitarë konfirmojnë për Alsat se ky fenomen ka marrë hov në gjithë vendin, por edhe në fqinjët më të afërt, si Kosova e Shqipëria. Plagjiatura është legalizuar dhe shumicës së profesorëve pa mendim kritik dhe pa ndërgjegje nuk iu vjen turp ta bëjnë këtë, vlerëson profesori nga Kosova, Milazim Krasniqi.

Është një kaos total, ku mashtruesit kanë terren të shkëlqyeshëm për t’u avancuar në karrierë”, tha Milazim Krasniqi, profesor.

Sipas Krasniqit është koha për politika arsimore në përputhje me nevojën e tregut.

Tentativa që të gjithë të duken shkencëtarë është diçka që prodhon plagjiaturën, sepse nuk kanë të gjithë mundësinë të jenë studiues dhe shkencëtarë. Normalisht ndihmon edhe industria e revistave e cila është shndërruar në një lloj imperializmi akademik, sepse janë ato revistat e mëdha ku botohet me para, ku kuantiteti e përcakton dinamikën dhe statusin e jo cilësia”, theksoi Milazim Krasniqi, profesor.

Profesori, Ilija Aceski konsideron se rasti i UT-së është vetëm një segment i absurdit që ndodh në arsimin e lartë meqë sipas tij, të paktën 30% e profesorëve marrin tituj shkencor mbi bazë të punimeve jocilësore. Aceski rekomandon formimin e një Komisioni, si në Kosovë, që do të bëjë vlerësim objektiv e më pas t’ua pamundësojë studentëve të universiteteve jocilësore të punësohen në institucione shtetërore.

Cilësia e arsimit të lartë është nën çdo nivel. E analizova përmes shembullit të Universitetit “Kirili dhe Metodi” se ekziston kulturë korrupsioni, që do të thotë se nuk duhet të kërkohet faji tek individët, por tek vetë sistemi. Sistemi është i korruptuar dhe kjo shkakton mungesë cilësie. Me largimin e dikujt, nuk do të përmirësohet asgjë. Nevojiten ndryshime radikale, themelore”, tha Ilija Aceski, profesor universitar.

Përmirësimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë, Ministria e Arsimit synon ta bëjë përmes trupave të posaçëm, si Këshilli Kombëtar, i cili sipas këtij dikasteri, do të formohet shumë shpejtë dhe përmes Agjencisë për cilësinë e arsimit të lartë.

Ne në këtë drejtim duhet të punojmë, ta rrisim autonominë e Agjencisë, e cila merret dhe do të merret me analizën e cilësisë së arsimit të lartë. Gjithashtu duhet ta përmend se momentalisht prej grup ekspertësh është duke u draftuar ligj i ri për hulumtime shkencore”, pohoi Arafat Shabani, zv/ministër i Arsimit.

Drejtori i Agjencisë për cilësinë e arsimit të lartë, Agim Rushiti tha për Alsat se pandemia ka pamundësuar funksionimin normal të dy bordeve të agjencisë, atë të akreditimit dhe bordin e  evaluimit. Gjithsesi Rushiti tha se me ekspertë të Bankës Botërore po punon në skenimin e gjendjes, mbi të cilën do të veprohet në afat sa më të shkurtër. Ndërsa qëllim kryesor i Rushitit është vendosja e një kornize të re ligjore, për formimin e një organi të ri të inspektimit. Ndryshe, Inspektorati për arsim tashmë ka konfirmuar se shumica e universiteteve përballen me mungesë të kuadrit adekuat.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button