Artan Grubi ndiqet për veprën penale “Mashtrim në shërbim”, lejoi furnizimin e aparateve për lojëra të fatit
Artan Grubi ndiqet për veprën penale “Mashtrim në shërbim”, lejoi furnizimin e aparateve për lojëra të fatit
Gazetar: Suad Bajrami
Prej dhjetorit të vitit 2024 Artan Grubi zyrtarisht ndiqet për veprën penale “Mashtrim në shërbim” së bashku me drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami dhe disa persona të tjerë për furnizimin e VLT aparateve për Lotarinë Shtetërore edhe pse të njëjtat fare nuk kanë qenë të nevojshme dhe asnjëherë nuk janë përdorur.
Dëmi sipas Prokurorisë është mbi 8 milionë euro, ndërsa për veprën parashikohet dënim me burg prej së paku 4 vjet. Artan Grubi mbahet përgjegjës më 6 qershorit të vitit 2023 si zëvendëskryeministër që ka udhëhequr me seancën qeveritare ka miratuar propozimin e paligjshëm për blerjen e aparateve VLT me qëllim që të organizohen lojëra elektronike të kumarit.
Sipas Ligjit për Lojërat e Fatit, Lotaria Shtetërore nuk ka të drejtë të organizojë lojëra elektronike fati në mënyrë të pavarur në territorin e shtetit, pasi që prej vitit 2013 atë të drejtë e ka Videolotaria Shtetërore “Kazinos Austria”.
Lotaria Shtetërore ka qenë shpesh cak i akuzave për shpërdorime financiare. Në po të njëjtin muaj, u dorëzuar edhe kallëzim i ri penal nga Policia Financiare kundër Përparim Bajramit për furnizime të rrejshme të televizorëve, printerëve dhe pajisjeve tjera elektronike.
Në shkurt të vitit 2025, Policia Financiare dorëzoi edhe një kallëzim tjetër për Bajramin. Kësaj radhe për shpërdorim të 400 mijë eurove për marrëveshjen që ka lidhur me kompaninë “HEJ SHPK” për ish objektin e restorantit “Festina”.
Drejtuesja e parë e kësaj kompanie rezulton kushërira e Artan Grubit, Natyra Grubi. Objekti dyshohet të ishte marrë me qira me qëllimin që të shfrytëzohet për vendosjen e VLT aparateve të pashfrytëzuara.
Hetimet në lotari u hapën pasi SHBA, e futi në listë të zezë Artan Grubin së bashku me gjyqtarin kontrovers Enver Bexheti të cilët sipas autoriteteve amerikane kishin marrë ryshfet për ta shpëtuar nga ndjekja penale ish shefin e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov. /Alsat.mk








