ASH-AAA do të ankimojë vendimin e KSHZ-së për vendvotimin në Dibër

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do ta ankimojnë në Gjykatën Administrative vendimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve i cili refuzoi ankesën e tyre për vendvotimin 0543 në Dibër. Sipas kësaj partive, ankesa ka pasur bazë për disa arsye; procesverbali në këtë vendvotim nuk është nënshkruar nga shumica e anëtarëve të këshillit zgjedhor, ashtu siç e kërkon ligji, anëtarët nuk kanë evidentuar në procesverbal arsyet se pse nuk firmosin, procesverbali nuk është nënshkruar as nga Komisioni Komunal Zgjedhor i cili duhet të nënshkruaj nëse këtë nuk e bën shumica e këshillit dhe procesi zgjedhor në këtë vendvotim është drejtuar nga një kryetar i cili paraprakisht është shkarkuar nga Komisioni Komunal Zgjedhor.

Shumica e anëtarëve të KSHZ-së vetuan për të hedhur poshtë kërkesën si të pabazë. Sipas tyre, anëtari i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës në këshillin zgjedhor nuk i ka evidentuar këto gjëra në procesverbali që ditën e zgjedhjeve.

Ankuesi ka afat prej 48 orësh të ankimojë vendimin e KSHZ-së në Gjykatën Administrative pas marrjes së vendimit kurse gjykata ka kohë 24 orë për të marrë një vendim.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkojnë rivotim në këtë vendvotim në Komunën e Dibrës. Opozita shqiptare beson se prishja e këtij vendvotimi dhe rivotimi do t’i siguronte fitoren kandidatit të tyre që në rrethin e parë zgjedhor.

Vendimi për rivotim merret nëse ankesa e subjektit në fjalë pranohet dhe nëse votat në atë vendvotim do të mund të kishin ndikim në rezultatin zgjedhor.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button