ASH paralajmëron iniciativë në Kushtetuese: “Safe City” mjet kontrolli i pushtetit
ASH paralajmëron iniciativë në Kushtetuese: “Safe City” mjet kontrolli i pushtetit
Deputetët e ASH-së së Taravarit paralajmërojnë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese, kundër sistemit “Safe City”. Deputeti Rijad Shaqiri në intervistë për Alsat tha se ndryshimet në ligjin për kundërvajtje janë në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës.
“Do të shtrojmë kërkesë në kuadër të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e këtij ligji pasi është në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës. Ligjet duhet të sillen në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut”, tha Rijad Shaqiri, Deputet i ASH-së së Taravarit.
Shaqiri tha se ASH-ja e Taravarit është kundër idesë së kreut të BDI-së Ahmeti për një njësi zgjedhor me prag prej 5%. Ai tha se për ASH-në modeli i pranuar do të ishte me tetë njësi zgjedhore.
“Hipotetikisht nëse ne shkojmë me një njësi zgjedhore, cila është garancia që ne mund të mbikëqyrim procesin zgjedhor në pjesën e Maqedonisë Lindore ku dihet se ajo pjesë është e boshatisur.
Pra jeni kundër kësaj idesë së Ahmetit?
Ne jemi kundër idesë që të ketë një njësi zgjedhore. Ne jemi për lista të hapura mirëpo me tetë njësi zgjedhore”, u shpreh Rijad Shaqiri, Deputet i ASH-së së Taravarit.
Shaqiri tha se me BDI-në janë partnerë në AKI dhe se asnjëherë nuk do të ndodhë që kjo strukturë e udhëhequr nga Taravari të shkrihet në BDI, pavarësisht vendimit gjyqësor për vulat e partisë./ Alsat.mk








