Ashensorët e Kadastrës së Tetovës jashtë funskionit

Ashensorët e Kadastrës së Tetovës jashtë funskionit

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Edhe pse po premtohet prej vitesh, megjithatë, ashensorët e Kadastrës së Tetovës e cila ndodhet në katin e dytë të Qendrës Tregtare vazhdojnë të jenë jashtë funksionit. Persona të moshuar, por edhe ata me aftësi të posaçme, mundohen të ngjisin katër palë shkallë për të arritur në Kadastër. Shpesh ndodh që, këtë rrugë ta bëjnë nga dy apo tre herë në ditë për t’i plotësuar dokumentet e nevojshme.

“Që fatkeqësia të jetë edhe më e madhe, këta ashensorë, që nga fillimi kur edhe janë vendosur, nuk kanë punuar asnjëherë. E kohëve të fundit, të njëjtët janë kthyer në vende për fshehjen e mbeturinave”, raportoi Bashkim Sulejmani, gazetar i Alsat.mk.

Qytetarët ankohen se, përveç mungesës së ashensorëve, për tu ngjitur shkallëve për në Kadastër, mungojnë edhe dritat, ndërsa nga mbeturinat, mezi ia arrin të marrish frymë.

“Atë rrugën aty, atë rrugën a e filmuat, a ia lëshuat kamerën pak. Problem e kemi, unë hipi avash avash, por dikush problem e ka”, tha një qytetar.

“Askund nuk ka kështu, as në Kinë s’ka kështu, ky sistem jo. Papastërtia madhe s’kam koment ma, më keq s’ka ku shkon”, tha një qytetar.

“Problem e kam sa të duash, por nevoja të çon. Po vij këtu dhe s’kryen punë dot, s’ka sistem hajde më vonë. Edhe drita s’ka, edhe papastërti si tët them. Po pres ja këtu të mos vij sërish së s`mund të hipi lart se i kam të operuar këmbët të dyja. Pastaj ne kërkojmë Evropën”, u shpreh një banor.

Të pyetur në kadastrën e qytetit, drejtuesit e saj refuzuan të dalin para kamerave, por, na u përgjigjën se kanë bë disa herë kërkesë deri te Drejtoria Qendrore në Shkup për rregullimin e ashensorit, por asgjë nuk është ndërmarrë.

Jo vetëm qytetarët, por me problemin e njëjtë përballen edhe disa të punësuar me aftësi të posaçme në këtë institucion. Qasja e objektit për personat me karroca është e pamundur./Alsat.mk

 

 

Bashkim Sulejmani

LEXO EDHE:

Back to top button