Asllani: Shpresoj t’i bëjmë të lumtur të gjithë tifozët kundër Italisë

“Kuqezinjtë” mezi po e presin miqësoren e luksit me Italinë, më 16 nëntor, në stadiumin “Arena Kombëtare”. Më emocionuese do të jetë kjo përballje për futbollistët që luajnë në Itali, mes të cilëve edhe Kristjan Asllani. 20-vjeçari i Interit doli sot në konferencë shtypi, duke bërë një prognozë të duelit mes Shqipërisë dhe Italisë ku jeton qysh 2 vjeç, por edhe rikthyer në kujtesë golin e humbur ndaj Barcelonës.

“Do jetë një ndeshje e veçantë për mua, jetoj në Itali prej moshës 2-vjeçare. Kam shumë shokë atje. Ndeshje e vështirë, por do të provojmë t’i lumturojmë njerëzit tanë. Ngacmime nuk kam pasur nga shokët e skuadrës tek Interi për këtë përballje, por më kanë pyetur se kur do të luajmë, ku do të akomodohen ata dhe kështu gjërash. Mezi po e pres si ndeshje.

 

Italia ka nivel shumë të lartë, por ne do të provojmë të bëjmë ndeshjen tonë, pasi kemi shumë kualitet. Gjërat shkojnë mirë kur skuadra fiton. Kur nuk ndodh ka debate dhe kritika. Grupi është i bashkuar, jemi të gjithë shokë. Le të vazhdojmë kështu. Përgjegjësia duhet, shpresoj të marr sa më shumë minuta në kombëtare, që të fitoj besim në vetvete.

 

 

Rasti i Barcelonës?

Normal që më vjen në mendje, por ekipi dhe të gjithë më kanë qëndruar afër. Ishte rast historik, por gjithsesi e kaluam turin.

 

Pak aktivizim tek Interi?

Jam lojtar i ri, kam përpara Brozovic dhe Calhanoglu, nga të cilët mund të mësoj. Jam i lumtur me kaq minuta sa kam luajtur, nuk është e lehtë. E ardhmja e Edy Reja? Shpresojmë të bëjmë mirë, ta ndihmojmë trajnerin, t’i japim besim atij dhe t’i fitojmë këto dy ndeshje.

 

Shqipëria më e mirë ndaj Italisë?

Nuk e di, por kjo mund të jetë Shqipëria më e fortë, pasi kemi lojtarë të sprovuar dhe teknikë. Shpresoj t’i bëjmë të lumtur të gjithë tifozët.

 

Shorti i “Euro 2024”?

Kemi shumë shanse të kualifikohemi,” tha mes tjerash Asllani në takimin me gazetarët.

LEXO EDHE:

Back to top button