Asnjë banor i Gostivarit nuk është ankuar te Avokati i Popullit për ujin e ndotur

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Ndonëse javë më parë në Gostivar, me dolli, autoritetet “festuan” lëshimin në përdorim të ujit për pije, zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë apo Instituti për Shëndet Publik, ende nuk është publikuar dokument zyrtar për cilësinë e ujit. Banorët e Gostivarit ndërkohë ende e kanë vështirë të kthehen në normalitet. Që nga përhapja e epidemisë e deri më sot, deri në zyrën e Avokatit të Popullit nuk ka arritur asnjë ankesë nga banorët e Gostivarit. Avokati i Popullit menjëherë pas publikisht të informacioneve, formoi lëndë me vetiniciativë dhe kërkoi sqarime nga komuna e Gostivarit, Instituti i Shëndetit Publik, Qendra e Shëndet Publik Tetovë dhe Ndërmarrja “Komunalec” – Gostivar. Gjithashtu, ka kërkuar nga komuna e Gostivarit që të gjithë qytetarët të lirohen nga pagesa e faturave për ujin për periudhën derisa uji ka qenë i pa përdorshëm.

“Çdo qytetar i cili konsideron se i është shkelur e drejtë e caktuar, ashtu edhe banorët e Gostivarit dhe komunave fqinje, munden me ankesë të veçantë të drejtohen deri te Avokati i Popullit dhe rasti i tyre do të shqyrtohet. Qytetarëve do u jepet këshillë juridike për mënyrën, kushtet dhe procedurën si të realizojnë të drejtën e tyre. Një të drejtë të caktuar, qytetarët mund ta realizojnë edhe me padi kundër komunës apo shtetit. Por në këtë fazë derisa punon dhe Prokuroria Publike, do i sugjeronim qytetarët nëse ndjehen të dëmtuar, të drejtohen deri te Prokuroria Publike”, thonë nga Avokati i Popullit.

Ndalesa për konsumim të ujit në Gostivar u vendos që nga 17 korriku ndërsa sipas autoriteteve, ndotja ka ardhur pas vendosjes së pompave ilegale të vendosura nga NP “Komunalec” Gostivar. Mijëra qytetarë përfunduan në spital me simptoma helmimi. Më vonë analizat treguan për prani të baktereve fekale në ujin e Gostivarit. Prokuroria në Gostivar nisi hetim, ndërsa tre persona, përfshirë drejtoreshën e ndërmarrjes, u arrestuan./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button