Lënda për “Pallatin e Bardhë” të VMRO-së përpara vjetërsimit, Apeli vendos me dyer të mbyllura
Gazetar: Suad Bajrami
Lënda e ish Prokurorisë Speciale “Talir 2” që ka të bëjë me ndërtimin e paligjshëm objektit të VMRO-DPMNE, të njohur si “Pallati i Bardhë”, më 31 gusht vjetërsohet. Deri atëherë kanë mbetur edhe tre ditë pune që Gjykata e Apelit të vendos për vendimin e Gjykatës Penale të Shkupit, me të cilin, në korrik të këtij viti u shpall i pafajshëm ish kryeministri Nikolla Gruevski, ndërsa u vendos të mos konfiskohet selia e VMRO-DPMNE.
Ndaj ankesës së Prokurorisë, Apeli duhet të mbajë seancë, megjithatë pasi askush nga palët nuk ka kërkuar seancë publike, Gjykata e Apelit konfirmon për Alsat se seanca do të mbahet me dyer të mbyllura.
Gjyqtare raportuese e lëndës në Apel është Lirije Elezi, ndërsa përfaqësues i organit të akuzës është prokurori i lartë Jovan Cvetanovski.
Apeli duhet të vendos nëse do ta pranojë aktgjykimin e shkallës së parë ose ta ndryshojë.
Për këtë lëndë, fillimisht kishte aktgjykim në vitin 2022 me të cilin Gruevski u dënua me 6 vjet burg, ndërsa ish sekretari i Qeverisë me kusht.
Megjithatë për shkak të ndryshimeve skandaloze të Kodit Penal, në janar të vitit 2024, Gjykata e Apelit e shfuqizoi aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ktheu lëndën për rigjykim sërish në shkallës të parë.
Këtë herë, gjykatësja Daniella Aleksovska i shpalli të pafajshëm të akuzuarit, pasi këtë e kanë mundësuar ndryshimet e Kodit Penal, ndërsa Aleksovska plotësisht është shprehur se Prokuroria nuk ka arritur ta vërtetojë qëllimin e ish kryeministrit Gruevski për të kryer vepër penale. /Alsat.mki








